Zëvendësministri rus i mbrojtjes Timur Ivanov akuzohet për marrje ryshfeti
Dialogu Prishtinë-Beograd, delegacioni i Kosovës niset për në Uashington
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti është nisur të hënën drejt Ushingtonit, për të marrë pjesë në takimin e 4 shtatorit me palën serbe.
Përpara takimit, i cili do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë, delegacioni kosovar pritet të zhvillojë edhe takime tjera me zyrtarë amerikanë. Është thënë që atje do të diskutohet për tema ekonomike, por nuk është bërë publike agjenda e takimit.
Euronews Albania ka kontaktuar Xhavit Beqirin, këshilltar për media i kryeministrit për të marrë detaje për takimin e Uashingtonit, por ai ende nuk ka kthyer përgjigje.
Por, televizioni mëson se shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti drejt SHBA-ve ka udhëtuar vetëm me partnerët e koalicionit, pasi dy partitë opozitare Vetëvendosje dhe PDK-ja i janë përgjigjur negativisht ftesës së tij.
Në ekipin kosovar përveç kryeministrit Avdullah Hoti, i cili është kryesues i delegacionit, do marrin pjesë edhe koordinatori shtetëror për dialog, Skënder Hyseni, zv.kryeministri nga LDK-ja Driton Selmanaj; zv.kryeministrja nga Nisma Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimaj; ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nga AAK-ja, Meliza Haradinaj-Stublla, ministri i Drejtësisë nga AAK-ja, Selim Selimi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë nga LDK-ja Arban Abrashi, dhe shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi.
Pas takimit të Uashingtonit, një takim tjetër pritet të ndodhe në Bruksel, ku më 6 shtator takohen ekspertët e Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa një ditë më pas zhvillohet takimi i nivelit politik mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.