Thursday, May 26, 2022

Institucionet e Kosovës mirëpritën marrëveshjen me Serbinë – opozita kritikon

Në Kosovë udhëheqës institucionesh e partish politike në pushtet mirëpritën të premten marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një deklarate tha se “shpreh konsideratën më të lartë për udhëheqjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që sot arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike”.

Në deklaratën e presidentit Thaçi thuhet se Kosova beson në udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në vizionin e Washingtonit, meqë “gjatë gjithë historisë së Kosovës kjo i ka sjellë vetëm përfitime, si çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, themelimin e ushtrisë që do të përfundojë me integrimin në NATO, si dhe tash edhe zhvillim ekonomik”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se “Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo u dëshmua edhe një herë sot, me nënshkrimin e marrëveshjes së negociuar nën drejtimin e Shtëpisë së Bardhë”.

Ai e cilësoi marrëveshjen si një të arritur të madhe në interes të Kosovës. “Kryeministri dhe Qeveria, me maturi e përkushtim , në pak javë, arritën ta ribëjnë Kosovën partner të besueshëm të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, prandaj ky Kryeministër dhe Qeveria e tij meritojnë mbështetje në rrugëtimin që kanë nisur”, shkroi zoti Mustafa.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e përshëndeti marrëveshjen rreth së cilës kishte shprehur dyshime për shkak të përfshirjes së çështjes së liqenit të Ujmanit që ndodhet në veriun e Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se “miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar. Besimi ynë në rolin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka qenë i paluhatshëm dhe i tillë mbetet!”, shkroi ai.

Nisma Socialdemokrate që është pjesë e qeverisë së Kosovës, tha se “marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë̈ që parasheh investime miliardëshe në shumë fusha është e mirëpritur për Kosovën. Investimet në infrastrukturë hekurudhore, rrugore, në rrjetin e gazsjellësit etj. do t’i japin shtytje të madhe ekonomisë̈ së vendit tonë!”, thuhet në reagimin e këtij subjekti duke shtuar se njohja nga Izraeli është dëshmi për përkushtimin e madh dhe të vazhdueshëm të SHBA-ve në procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës nga shtetet tjera!”

Opozita në Kosovë kritikon marrëveshjen

Lëvizja Vetëvendosje kritikoi ashpër marrëveshjen duke vlerësuar se “Ajo çfarë u quajt sot normalizim ekonomik, më shumë ngjan si një ekonomizim i dështimit të shkëmbimit territorial. Mbi të gjitha, qeveria koti edhe një herë gënjeu, sepse njohja reciproke nuk u arrit, ndërkohë që çështjet e brendshme të Kosovës edhe një herë u trajtuan me Serbinë, gjë e cila është e papranueshme”.

Në një komunikatë të gjatë kjo lëvizje tha se “kjo marrëveshje e lidhur prej një qeverie pa legjitimitet, është një tjetër dështim dhe përfaqësim i padenjë përballë Serbisë, duke qenë se u shkua në takim pa strategji, pa plan, pa objektiva. Kjo marrëveshje duhet të kundërshtohet në Kuvendin e Kosovës, përndryshe do të çojë drejt lëshimeve të tjera, edhe më të rrezikshme. Marrëveshja afron Serbinë brenda në Kosovë, ndërkohë që njohja prej Serbisë nuk po afrohet”.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës në opozitë kritikoi delegacionin e Kosovës për humbje të mundësisë për një marrëveshje përfundimtare që siguron njohjen e ndërsjellë dhe ulësen në OKB.

“Çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri. Aq më tepër, deri në këtë moment, nuk është bërë publike përmbajtja e marrëveshjes. PDK-ja që nga fillimi ka qenë e bindur se përfshirja e SHBA-së në procesin e përmbylljes së dialogut mes Kosovës e Serbisë është e domosdoshme, por marrëveshjet që nuk parashohin njohje të ndërsjellë, nuk ofrojnë zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike duke nënvizuar se është edhe më e rëndë në qoftë se ka cenim të Kushtetutës, sovranitetit dhe interesave strategjike të Kosovës.

PDK: Delegacioni kosovar humbi shansin për marrëveshje finale që siguron njohjen e ndërsjellë dhe ulësen në OKB4…

Posted by Partia Demokratike e Kosovës – PDK on Friday, 4 September 2020
- Advertisment -

Lexoni