Sunday, May 29, 2022

Kosova dhe Serbia takime në nivel ekspertësh në Bruksel – të hënën Hoti – Vuçiq

Pas Washingtonit, ekipet nga Kosova dhe Serbia, të shtunën dhe të dielën, në selinë e Shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë takime në nivel të ekspertëve.

Në rend dite, sipas burimeve diplomatike, janë tri emat për të cilat ishte diskutuar në takimet e mëhershme: çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik.

Këta takime në nivel të ekspertëve kanë për qëllim që të përafrojnë qëndrimet e palëve në prag të takimit në nivelin e lartë që zhvillohet të hënën e ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Për temat e përmendura, burimet e BE-së thonë se palët kishin bërë përparim në takimet e mëhershme dhe presin që të shfrytëzohet momenti për të rënë dakord për to.

Të hënën, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të priten nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak.

Sipas burimeve të BE-së, në takimin e nivelit të lartë do të diskutohet për çështjet pronësore dhe financiare si dhe për aranzhimet lidhur me komunitetet joshumicë në Kosovë.

Vazhdimi i dialogut në nivel të ekspertëve dhe takimi i nivelit të lartë vijnë menjëherë pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 4 shtator, ku arritën pajtim për disa çështje ekonomike.

Në BE nuk kanë dhënë shumë komente rreth marrëveshjeve në Uashington, pos asaj se “e marrin në dijeni këtë” dhe se presin vazhdimin e dialogut në Bruksel i cili ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura.

- Advertisment -

Lexoni