Wednesday, May 18, 2022

Si u tret emërtimi “Republika e Kosovës” nga Marrëveshja e Uashingtonit?

Njohja e ndërsjellë, emërtimi Republika e Kosovës, çështja e Ujmanit- janë pikat që ishin përfshirë e më vonë janë hequr nga marrëveshja, që u ishte prezantuar palëve nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. Ndryshimi është bërë pas refuzimit të Serbisë që të nënshkruajë një dokument ku përdoret termi “Republikë e Kosovës” dhe jepet zotimi për “njohje reciproke”.

Në draftin e parë, i cili u refuzua nga Serbia, shkruhej se “Republika e Serbisë dhe Republika e Kosovës pajtohen të ecin përpara drejt normalizimit ekonomik”.

Por, versioni final i marrëveshjes përmbanë vetëm emrat e shteteve, Kosova dhe Serbia, ku përmenden edhe Prishtina e Beogradi.

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ka qenë i kënaqur për mënyrën se si Serbia ka arritur të largojë pikën 10 nga marrëveshja në Uashington, pa humbur asgjë. Pika 10 kishte të bënte me njohjen reciproke.

“Në versionin e parë ishte një pikë ekspliticite që kërkonte njohje dhe pastaj merrnim garanca për komunitetet. Por e dinim që nga fillimi që do kishim pasoja në marrëveshje që do të dilnin si fitore e Serbisë”, thotë ai.

Në konferencë për media pas nënshkrimit, presidenti serb Aleksander Vuçiq e kishte quajtur fitore të madhe për Serbinë, largimin e këtyre pikave.

Ndërkaq, pala kosovare në vazhdimësi ka mohuar të ketë pasur ndryshime në marrëveshje.

Tensione dhe përplasje brenda delegacionit kosovar kishte prodhuar pika që fliste për Liqenin e Ujmanit.

Aleanca për Ardhmërinë është irrituar me deklaratat e kryeministrit Hoti i cili kishte thënë se nuk ka pasur asgjë kontestuese sa i përket çështjes rreth liqenit të Ujmanit.

Por, deklarata e Hotit demantohet nga draftet e dokumentit të marrëveshjes, ku thuhet se, “të dyja palët do ta ndajnë Liqenin e Gazivodës si burim i besueshëm për furnizim me ujë dhe energji”.

Burime të “Kohës” të afërta me zhvillimet thonë se, kjo pikë ishte pranuar nga Kryeministri Hoti, dhe për këtë arsye Haradinaj doli publikisht për të paralajmëruar kundër nënshkrimit të saj.

Pas kërcënimit të Haradinajt me dalje nga koalicioni, Hoti ka kërkuar të riformulohet kjo pikë në marrëveshjen finale.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në versionin final të marrëveshjes për pikën rreth Ujmanit”, shkruhet në marrëveshjen finale, në pikën për Ujmanin.

Por, Kryetari i LDK-s, Isa Mustafa, mohon një gjë të tillë.

Në një status në “Facebook”, ai e ka quajtur të pavërtetë raportimin e mediave, duke thënë se formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim me datë 4 shtator.

Për harmonizimin në formulim, kryetari i LDK-së tha se u njoftua me Hotin dhe mohoi se ka pasur mungesë komunikimi me Ramush Haradinaj, i cili kërcënoi edhe publikisht me dalje nga koalicioni nëse nuk ndryshohet pika për Ujmanin.

Sipas interpretimit të juristëve, marrëveshja përbën akt të njëanshëm ku Kosova e Serbia do të duhet të hyjnë në marrëveshje tjera për t’i zbatuar obligimet që i janë zotuar Shteteve të Bashkuara.

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj thotë se në marrëveshje thuhej se Ujmani do të ndahej sipas marrëveshjes.

“Në këtë dokument pikën më të rrezikshme e kam për pikën për Ujmanin. Mirë që ajo është ndryshuar. Kemi ngulur këmbë në këtë. Kam pasur vërejtje edhe për mënyrën se si është hequr pika 10 pa marrë një ekuivalencë për kërkesën e Serbisë”, tha Haradinaj.

Pra, thekson Haradinaj, “ata morrën atë që deshën ndërsa ne nuk fituam asgjë”.

“Kjo marrëveshje lë shumë të panjohura. E di që është në interes të Kosovës që i gjithë liqeni të jetë në kontroll tonin. Por Ujmani është gati 20% në pjesën e Serbisë. Por ka rreziqe dhe të panjohura. Është dashur ndoshta që të përdoret si ekuivalencë kur është larguar pika 10 në marrëveshje. E kemi shmangur Serbisë që të jetë palë direkte se do të na kushtonte shumë. Ja kemi lënë një ndërmjetësi, por prapë se prapë ka mbetur pikë pezull”, theksoi Haradinaj.

Marrëveshjen e Uashingtonit, e kanë cilësuar të papranueshme edhe PDK dhe Vetëvendosje.

- Advertisment -

Lexoni