AAK: Nëse Serbia mbetet palë për Ujmanin rishikojmë qëndrimin në Qeveri
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se duhet të rishikohet procesi i dialogut. Sipas tij, ai mund të shkaktojë probleme të mëdha.
Këtë qëndrim, Gjini e dha pas mbledhjes së strukturave të AAK-së.
“Tema e vetme ka qenë procesi i dialogut. Ne mendojmë që dialogun si proces duhet ta shohim edhe një herë. Mendojmë që pika e njohjes duhet të jetë. Aleanca duhet ta shohë procesin e dialogut, jo në këtë fazë, se kjo është përmbyll, por për fazat e tjera. Ka pasur diskutime për dalje nga koalicioni, por tema ka qenë dialogu. Do të ketë raund tjetër në Bruksel. Aleanca nuk ka diskutuar për dalje, por ka pasur deputetë që e kanë përmend”, ka thënë Gjini.
Ai tha se nëse Serbia mbetet palë në vendimmarrje për Ujmanin atëherë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të rishikojë qëndrimin e saj në Qeveri.
“Nëse Serbia mbetet palë në vendimmarrje bashkë me ne për Ujmanin, atëherë AAK-ja menjëherë e rishikon qëndrimin e vet në Qeveri edhe nuk do ta mbështetë një marrëveshje të tillë”, ka thënë Gjini, nënkryetar në AAK.
Për AAK-në është e pranueshme marrëveshja me SHBA-në, por jo tripalëshe ku përfshihet edhe Serbia.
“Kryetari Haradinaj ka insistuar se për Ujmanin mund të kemi marrëveshje bilaterale me SHBA-në, por nuk mund të kemi marrëveshje tripalëshe ashtu që për çfarëdo vendimi për Ujmanin ne ta pyesim edhe Serbinë. Kjo pikë nuk mundet me mbet ashtu siç është”, ka thënë Gjini.