Përfaqësuesi rus në OKB dezinformon për Kosovën: Nëse nuk i ndalojmë shqiptarët, Ballkani hyn në
Kosova s’mund të jetë pjesë e BE-së përderisa nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare
Ndonëse është ende larg fazës së aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shteti i Kosovës nuk do të mund të përfitojë fare nga ky proces, nëse vazhdon të mos njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së. Zyrtarët në Bruksel thonë se Kosova nuk është në gjendje që të aplikojë për anëtarësim, përderisa pesë shtete anëtare të BE-së refuzojnë ta njohin atë si shtet.
Ashpërsimi i qëndrimeve të BE-së në raport me Kosovën, pason nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit nga Kosova dhe Serbia, ku mes tjerash të dy vendet zotohen të njohin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. Pika tjetër që po e “lëndon” BE-në ka të bëj me favorizimin që Kosova po i bën SHBA-së si palë ndërmjetësuese në dialog, kundruall BE-së.
Peter Stano, zëdhënës për çështjen e Politikës së Jashtme dhe Siguri, dhe zëdhënës i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, rikujton faktin se janë ende pesë shtete anëtare të cilat nuk e kanë njohur.
“Kosova nuk është ende në gjendje të bëjë aplikimin formal për anëtarësim në BE”, ka thënë Stano. Sipas tij, “Kosova, megjithatë, ka një perspektivë të qartë evropiane”, duke shtuar se BE-ja po punon me vite në mënyrë intensive me Kosovën, popullin dhe me përfaqësuesit e Kosovës, në mënyrë që t’u ndihmohet për të lëvizur drejt integrimeve evropiane dhe në një moment të jetë e mundur të aplikojë edhe për anëtarësim.
Ai ka thënë po ashtu se është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që duhet të çoj në normalizim të raporteve dhe rrjedhimisht të dy vendet do të përfitonin nga procesi integrues.