Thursday, May 26, 2022

AstraZeneca rifillon provat për vaksinën

Gjigandi farmaceutik britaniko-suedez, AstraZeneca ka rifilluar provat eksperimentale për vaksinën kundër COVID-19, pasi mori autorizimin e kontrollorëve të sigurisë, deklaroi kompania të shtunën.

“Provat klinike për vaksinën që po zhvillon AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit, AZD1222, kanë rifilluar në Britani, pas konfirmimit nga Autoriteti Rregullator për Mjekësinë dhe Shëndetësinë”, tha kompania në një deklaratë.

Studimet në fazat e fundit të vaksinës së mundshme të kompanisë AstraZeneca për COVID-19, u pezulluan përkohësisht të martën ndërsa kompania hetonte nëse një sëmundje “e pashpjegueshme” e një vullnetari që ka marrë vaksinën, ishte një efekt anësor i saj.

Kompania tha se “procesi i saj standard i kontrollit, shkaktoi një pauzë të vaksinimit për të analizuar të dhënat e sigurisë” dhe se ndalja e testimit është një “veprim rutinë, që duhet të ndodhë sa herë ka një sëmundje ndoshta të pashpjegueshme në ndonjë nga testimet, ndërkohë që bëhen hetime për t’u siguruar integriteti i testimeve”.

Vaksina e AstraZenecas është një nga nëntë të mundshmet që kanë hyrë në fazën e tretë të provës ndër njerëz në gjithë botën.

Muajin e kaluar AstraZeneca filloi të rekrutonte 30 mijë vetë në Shtetet e Bashkuara për studimin më masiv të saj për këtë vaksinë e cila po testohej para ndërprerjes edhe në grupe më të vogla në Brazil dhe vende të tjera të Amerikës së Jugut.

Në Shtetet e Bashkuara, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive Anthony Fauci tha të premten se vetëm vitin e ardhshëm jeta mund t’i rikthet normalitetit të para-pandemisë. Por gjithçka do të varet, sipas tij, nga fakti nëse vaksina kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion deri në fund të këtij viti. Zoti Fauci i tha rrjetit televiziv MSNBC se “shpërndarja e vaksinës, mbrojtja apo vaksinimi i shumicës së popullsisë, ka të ngjarë të mos ndodhë deri në mes ose në fund të vitit 2021”.

Ndërkohë disa spitale në SHBA kanë refuzuar një pjesë të furnizimit të tyre me Remdesivir, ilaçi që përdoret për të luftuar COVID-19, prodhuar nga Gilead Science. Lajmi u konfirmua të premten nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Nga 6 korriku deri më 8 shtator, sistemet shëndetësore publike shtetërore dhe lokale pranuan rreth 72 për qind të Remdesivirit të ofruar nga ky departament, konfirmoi një zëdhënës të premten për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Qeveria ka udhëhequr masat për shpërndarjen e ilaçit, por kjo përpjekje skadon në fund të muajit. Të shtunën në SHBA u regjistruan më shumë se 6.4 milionë të infektuar me COVID-19 dhe më shumë se 193 mijë të vdekur.

- Advertisment -

Lexoni