Ditari sekret i Enver Hoxhës: Projekti i panjohur për t’u hapur me Perëndimin që në
Mbi 77 për qind e të goditurve nga konfliktet humbin të ardhurat në mes të pandemisë
Më shumë se tre të katërtat e njerëzve të zhvendosur dhe të prekur nga konfliktet kanë humbur të ardhura që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), tha një grup humanitar në një raport të ri, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti i Këshillit Norvegjez për Refugjatët i titulluar “Në rënie spirale: ndikimi ekonomik i COVID-19 mbi refugjatët dhe personat e zhvendosur”, thekson se studimi u krye në Afganistan, Kolumbi, Irak, Kenia, Libi, Mali, Ugandë dhe Venezuelë dhe kërkime shtesë janë realizuar në Somali, RD e Kongos, Liban, Jordani, Burkina Faso dhe Jemen.
“Ndikimi shkatërrues ekonomik po zhyt shumë në një krizë urie, të pastrehësh dhe arsimi”, thuhet në raport.
Sipas gjetjeve nga 1.413 njerëz të anketuar, 77 për qind e njerëzve kishin humbur punën ose të ardhurat nga puna që nga marsi, 70 për qind e njerëzve u desh të shkurtonin numrin e vakteve për familjen e tyre që nga shpërthimi i pandemisë, dhe 73 për qind raportuan se kishin më pak mundësi të dërgonin fëmijët e tyre në shkollë për shkak të vështirësive ekonomike.
“Komunitetet më të rrezikuara të botës janë në një spirale të rrezikshme në rënie. Tashmë të detyruar të largohen me dhunë nga shtëpitë e tyre, shpesh me të drejta të kufizuara për të punuar ose qasje në shërbimet qeveritare, ndikimi ekonomik i pandemisë po i shtyn ata në katastrofë”, tha Jan Egeland, sekretari i përgjithshëm i këshillit.
Përzierja e krizave dhe sfidave të shumta ekzistuese, kufizimet e udhëtimit lidhur me COVID-19, mbyllja e tregjeve dhe bizneseve dhe rënia e përgjithshme ekonomike kanë bërë që popullatat e prekura nga konflikti dhe zhvendosja të humbasin punën dhe të ardhurat, tha këshilli.
“Humbja e fundit e të ardhurave, aksesi i kufizuar në sigurimet shoqërore, rënia e dërgesave të parave dhe rritja e borxhit, kanë krijuar efekte të rënda negative për të prekurit”, shtoi ai.