Dialogu Kosovë – Serbi: BE ngatërrohet me njoftimet zyrtare dhe kritikon gazetarët
Dialogu i Brukselit është kthyer tashmë në një proces të paparashikueshëm, duke vënë në vështirësi edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, të cilët kanë shpërndarë deklarata dhe njoftime kundërthënëse për mbajtjen e takimit të radhës mes Kosovës dhe Serbisë më 28 shtator.
Ndërsa pas takimit të fundit të nivelit të lartë, më 7 shtator, u njoftua nga vetë ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak se takimi i radhës Hoti-Vuçiç pritej të mbahej me 28 shtator, për shkak të mospranimit nga pala kosovare për të diskutuar mbi temën e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, gjatë kësaj jave është krijuar rrëmujë e paqartësi edhe me deklaratat e njoftimet zyrtare të BE-së, të cilët në përfundim kanë konfirmuar vetëm një takim mes krye-negociatorëve Hyseni dhe Gjuriç për ditën e hënë.
Madje, zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano sot deklaroi edhe se nuk është lajmëruar kurrë mbajtja e takimit Hoti-Vuçiç.
“Më lini fillimisht të korrigjoj dhe të vendos disa fakte. Ne nuk kemi lajmëruar kurrë se do të ketë një takim të nivelit të lartë të hënën, kjo është një gjë. Ka pasur informacione të ndryshme që kanë fluturuar rreth e rrotull por ne nuk kemi bërë kurrë një lajmërim formal,” thotw Stano.
“Që nga rinisja e dialogut praktika ka qenë lajmërimi i hapave të ardhshëm dhe i kalendarit të takimeve pak kohë para zhvillimit të tyre”.
Por përveç video-mesazhit zyrtar të Lajçak në fillim të shtatorit ku parashikoheshin data të sakta për takimin teknik gjatë kësaj jave dhe për atë të nivelit të lartë të hënën me 28 shtator, edhe në kalendarin zyrtar të BE-së për javën që vjen figuronte kryesimi i dialogut në nivel të lartë nga Josep Borrell, njoftim që u fshi vetëm pas pyetjeve të gazetarëve në Bruksel.
Për njoftimin në fjalë, Stano më vonë sqaroi për mediat se bëhej fjalë për një gabim dhe se kalendari zyrtar i Komisionit nuk përbën një njoftim zyrtar.
Ndërkohë, përveç deklaratave kundërthënëse, zëdhënësi nuk përtoi të shtojë vlerësime personale mbi çfarë mendon ai se kërkojnë gazetarët, të cilët po pyesnin mbi rrëmujën me njoftimet dhe publikimet e mëparshme.
“Dialogu nuk është në krizë, nuk po ndalon, ne po vijojmë, dhe unë i kuptoj nevojat për tituj tërheqës që janë gjithnjë më të mirë kur ka diçka negative në to, por duhet t’ju zhgënjej sepse dialogu vijon. BE është e vendosur dhe kemi deklarata të qarta për vendosmërinë edhe nga të dyja palët se duan dhe se janë të angazhuar të vijojnë, dhe për këtë ju sjell ndërmend deklaratën e fundit nga Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Hoti, gjithashtu më 7 shtator kur ishin në Bruksel”, deklaroi Stano.
Stano konfirmoi ndërkohë se në takimin e radhës në nivel teknik palët do të diskutojnë vetëm për çështjen e pretendimeve financiare dhe pronësore pasi pala kosovare nuk ka pranuar të bisedojë për çështjen që ishte lajmëruar më parë nga BE se do të ishte pjesë e takimeve të nivelit teknik dhe të lartë të këtij muaji, atë të Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.