Liverpooli mendon për pasuesin e Salah, alternativë edhe ish-in e Ajaxit
Parqet më të bukura të Evropës
Ndoshta nuk është ende koha perfekte, ajo që të gjithë po presim. Vjeshta e këtij viti dhe gjethet e zverdhura të pemëve mund të bien larg njerëzve dhe grumbullimeve të tyre, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 në të gjithë botën, megjithatë askush nuk na ndalon që të përjetojmë një udhëtim virtual në disa prej parqeve më të bukur të Europës.
Dhe derisa të vijë sërish koha që të presim biletën për udhëtimin e radhës, hedhim sytë në disa vende çlodhëse dhe magjepsëse në Europë – aty ku, sidomos në vjeshtë, natyra bëhet më bujare; hedh të gjitha ngjyrat mbi telajo e bëhet një me parajsën.
Parqet më të bukura natyrore në Europë
Shumë prej qyteteve të njohura europiane mbajnë parqet më të bukura që mund t’ju magjepsin. Peizazhe të magjishme, hije kulture dhe prehje qetësie, janë vetëm disa nga ato që ju falin parqet unike të Europës. Nga vendet nordike në Ballkan, nga qytetet që nuk i kishit menduar kurrë, deri tek ato më të preferuara, provoni të shijoni një udhëtim ndryshe nga ato që keni përjetuar deri tani.
Parku Kombëtar Jotunheimen, Norvegji
Ju, me siguri, nuk do të gjeni arratisje malore më mbresëlënëse se parku Jotunheimen, një nga më të veçantët në Europë. I vendosur në jugun e Norvegjisë, në brendësi të fjordeve, parku duket se është i shkruar në notat më të ëmbla romantike. Parku është i rrethuar nga male të panumërt, që kufizohen nga liqenet akullnajore, pasqyruar mrekullisht në peizazhe alpine. Emri i parkut lidhet me krijesat gjigante të mitologjisë norvegjeze dhe duket se i rri perfekt, pasi zona është mistike, spektakolare dhe magjepsëse po aq sa edhe vetë emri. Mund të përjetoni lirinë që keni kërkuar prej kohësh. Provoni çdo mënyrë për të shkuar në shtigjet e parkut. Ecjet në këmbë në shtigjet e vështira janë një aventurë më vete. Aktivitetet e stinës së dimrit janë fjala e parë e adrenalinës. Bora shtrihet si petk kudo, mjafton të merrni një palë ski dhe ta lini veten të lirë. Skitë janë mjeti i preferuar i norvegjezëve. Nëse shprehja është “i lindur me këmishë”, për norvegjezët themi se kanë lindur me “ski në këmbë”. I gjithë parku ka 23 maja të larta në lartësinë mbi 2000 metra, shumë prej të cilave ju dhurojnë ndjesitë e bukura të ngjitjes. Provoni të bëheni pjesë e të gjitha sporteve që provohen në një terren të tillë. Nëse zemra i përballon emocionet deri në limit, provoni Via Ferrata, ose ndryshe “Shtegu i hekurt”. Aty do të përjetoni ndoshta përvojën më të çmendur që keni provuar ndonjëherë.
Parku Kombëtar Vatnajökul, Islandë
Mund të duket e çuditshme, por parku Vatnajokull në Islandë është i dyti më i madh në Europë, në një ishull të vogël të Islandës. Nuk është vendndodhja në fakt që e bën parkun një mrekulli, por janë malet e larta , akullnajat dhe shpellat e akullit, për të cilat parku është praktikisht shtëpia e preferuar. Pjesa më e madhe e parkut është nën akull, por peisazhi është një magji, kryesisht nga bashkëveprimi i aktivitetit vullkanik me akullnajat . Shumë pak vende në botë e ofrojnë një ndërthurje të tillë të fenomenve natyrore, ku duket se janë në “betejë” akulli dhe zjarri. Askund tjetër në Islandë nuk bien më shumë reshje shiu, me përjashtim të akullnajës Myrdasjokull, sesa në anën jugore të parkut madhështor. Në fakt, aq shumë reshje shiu ruhen në aktualisht në Vatnajokul, sa lumit islandez me rrjedhën më të madhe, Olfusa-s, do t’i duhej 200 vite për t’u derdhur në det. Ana jugore e parkut Vatnajokull karakterizohet nga pyjet malore të larta, madhështore me akullnajat që zbresin deri në ultësira. Ndoshta nuk e dini, por parku në të cilin do të shkoni konsiderohet edhe akullnaja më e madhe në Europë. Tani parku është pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.
Parku Kombëtar Oulanka, Finlandë
Oulanka është një nga parqet më magjike në Europë. Njihet për pragjet e lumenjve, grykëderdhjet e pjerrëta, urat dhe për bimët e rralla. Nëse po kërkoni të gjeni ato pikat më interesante të parkut, me të cilat do të mbeteni të mahnitur, mos humbisni të paktën katër prej tyre. Kanioni i Oulankës është me të vërtetë një mrekulli. Ndërkohë që jeni duke ecur përmes pyjeve, do të ndesheni me këtë kanion, i cili shpesh nuk mund të përshkruhet as me fjalë. Kanioni është shumë i gjatë dhe poshtë tij shtrihet lumi që ju mirëpret. Ndiqni qetësisht, ose me pak adrenalinë rrugën që ju çon drejt kanionit dhe me shumë mundësi do të kaloni një kohë të gjatë aty. Natyrisht, nëse dëshironi më tepër adrenalinë dhe zhurmë që kumbon në veshët tuaj, Taivalgongas është vendi i duhur për ju. Urat e gjata dhe të larta, njëkohësisht, do t’ju krijojnë luksin të admironi nga lart vërshimin “e çmendur” të ujit apo cicërimat e zogjve. E gjithë pamja e pyjeve aty ngjan si në përralla. Mund të merni një shtëpizë me qira dhe të qëndroni për një natë aty. Duke qëndruar në skajin e Ristikalilios është e lehtë të ndjeni një paqe të brendshme, e pashpjegueshme nga buron. Mund të admironi panoramën ideale të parkut për të bërë, ndoshta, pikturën ose fotografinë më të bukur në jetë. Aty, shumë pranë nga ku jeni, do të shihni një nga ujëvarat më të larta në Finlandë, Jyrava-n. Nëse jeni me shoqërinë dhe dëshironi të organizoni një piknik, jeni në vendin e duhur, mjafton të ndizni një zjarr në vendet në të cilat është e lejueshme.
Parku Kombëtar, Grand Paradiso, Itali
Të thuash se Parku Kombëtar Grand Paradiso në Itali është një vend i rëndësishëm natyror dhe kulturor, mund të duket si nënvlerësim. Ky park kombëtar në alpet italiane është një parajsë, ashtu si emri. Është 96 vjeç dhe duket sikur çdo vit pasqyron diçka të re. Kulllota alpine, fusha të pafundme, maja malesh të thepisura, akullnaja të bardha të pastra, liqene dhe shumë mrekulli. Nga vizita juaj në park do të lini një pjesë nga shpirti dhe do të merrni një pjesë nga shpirti i Gran Paradiso. E gjithë sipërfaqja e parkut përfshin 70 mijë hektarë dhe ndarjet “e rastësishme” nga natyra duket sikur janë bërë nga dora e njeriut. Peizazhi ndryshon nga një pjesë në tjetrën, si pasojë e relievit të larmishëm aty. Nga majat më të larta në të cilat hidhet nga një cep në tjetrin cjapi alpin, në fushat e paqta ku kafshët ushqehen me barin e brishtë. Bëhuni gati të përjetoni një përvojë që, me siguri, e keni ëndërruar. Nëse rastësisht ngrini kokën lart në qiellin e pafundmë, shqiponjat e rralla do t’ju përshëndetin nga fluturimi. Pasi të keni arritur në majën më të lartë, merrni frymë thellë, të përqafuar nga reflektimi i diellit, e bardha e borës dhe panorama që ju lë thjesht pa fjalë. Malet janë për të gjithë, sepse do të gjeni secili pjesën e preferuar, hijet e pishave zvicerane, hapësirat gjigante dhe shumë qetësi për shpirtin. Lëreni veten të lirë dhe uluni aty diku, mblidhini manaferrat e shijshme, luleshtrydhet vendosini në një fije bari dhe mos denjoni të uleni dhe të shijoni pamjen. Tradita shekullore e zanateve artizanale nuk duhet humbur. Qumështi dhe vera që prodhohen aty janë më shumë se të mrekullueshme. Simboli i alpeve italiane është cjapi, brirët e të cilit përdridhen në një mënyrë unike. Mos e humbni foton ideale në momentin e duhur.
Parku Kombëtar Triglav, Slloveni
Parku Kombëtar Triglav, shtëpia e malit me të njëjtin emër, simbol i Sllovenisë, është një nga parqet më të bukura të Europës. Shtrirë mes alpeve Juliane të Sllovenisë, parku është domosdoshmëria e pushimeve aventureske. Mund të bëni shëtitje në këmbë, me biçikletë, të peshkoni ose thjesht të qëndroni aty për të shijuar pamjen. Triglav është i vetmi park kombëtar në Slloveni dhe shtrihet përgjatë kufirit italian, por është gjithashtu në afërsi të kufirit austriak në veriperëndim të vendit. Majat e maleve të vargëzuara plotësojnë një peisazh që duket se lëkundet qetë-qetë para syve tuaj. Luginat akullnajore në formë U-je dhe formacionet tipike karstike formësojnë një panoramë magjike. Megjithëse malet janë madhështore, shëtitjet mes pyjeve të paqta në mes të parkut nuk duhen humbur. Lumenjtë dhe liqenet krijojnë peizazh tërheqës në parkun slloven. Lumi Soca do t’ju lërë pa fjalë. Mos humbni pamjen që dhuron ujëvara Savica, fotoja aty mund të jetë më shumë se perfekte. Një xhevahir i parkut janë edhe liqenet akullnajore dhe ato që vizitohen më shumë janë liqeni Bohinj dhe liqenet e Triglavit. Ata që dëshirojnë të zhyten në hije të paqta të ndalen pranë liqenit Kriz. Parku është gjithashtu shtëpia e një bote të pasur të florës dhe faunës. Aty rrotull, ndërsa shëtitni, do të shihni të paktën tri bimë endemike, por duhet të dini se është e ndaluar të merrni çdonjërën prej tyre. Kafshët dhe shpendët kanë llojet më endemike në parkun slloven. Ekzistojnë rreth 80 lloje zogjsh dhe mes tyre është dhe shqiponja e artë që e përshkruan më së miri fjala”mrekulli”. Ka edhe muze në park që ju lejon të merrni një vështrim më të afërt të të gjithë traditës së vendit.
Parku Kombëtar Peneda Geres, Portugali
Portugalia është e bekuar me një nga atraksionet më të bukura, parkun kombëtar Peneda Geres. Shtrirë në kufijtë veriorë të Portugalisë , parku i merr të gjitha meritat më të mira. Pamja nuk përqëndrohet vetëm në ruajtjen e specieve të egra si ujqërit, shqiponjat apo të tjera, rëndësi u jepet edhe marrëdhënieve që krijon rajoni me fshatrat përreth. Kjo, në fakt, është më e veçanta aty – mjedisi thellësisht tradicional. Parku e ka marrë emrin nga vargmalet që ndodhen brenda tij, dy prej të cilave quhen Peneda dhe Geres. Ky i fundit përfshin rreth 270 milje pyje me pisha, shkëmbinj, këneta, lumenj dhe çdo gjë tjetër për t’ju ofurar një përvojë të paharrueshme. i gjithë parku është ngritur si i tillë në vitin 1971 për të ruajtur trashëgiminë natyrore dhe atë kulturore të paprekur. Rrugët, urat, dhe shenjat historike të prekura nga ndikimi i lashtë romak. Flora dhe fauna në Peneda Geres janë magjia e tij. Kuajt të cilët enden në fushat e gjera, dreri që është simboli i Geres, dhe nëse do të jeni me fat do të takoni me sy ujkun, që përveçse është i frikshëm, ka pamje mahnitëse. Shikimi i tij mund të mbetet gjatë në mendjen tuaj. Rreth parkut janë 22 fshatra dhe disa prej tyre janë pjesë e pandarë e tij. Braga është fshati më i madh dhe një nga më të vjetrit në Porto. Perla e vogël portugeze mban rreth 35 kisha dhe ajo çka do tiu interesojë më shumë është se Braga njihet si qendra e parkut dhe aty do të gjeni hartat dhe udhëzuesit për të gjitha itineraret tuaja përreth parkut. Soajo është fshat më i vogël, më tradicional dhe me një kurorë spanjolle që duket se i qëndron në kokë. Rrugicave do të shihni tufa bagëtish që presi të drejtohen në male, dhe gra që qëndrojnë në pragjet e shtëpive e flasin me njëra tjetrën. Mjafton ta lini veten të lirë dhe në viset portugeze do të ndiheni si në parajsë.