Sunday, May 29, 2022

Politika kosovare mund të lëkundet nga deputeti që ndodhet në burg

Votat e ish-deputetit Etem Arifi për rrëzimin e Qeverisë Kurti e më pas ngritjen e Qeverisë Hoti, mund ta tronditin skenën politike në Kosovë, nëse vërtetohet se ishin antikushtetuese.

Kur votoi në dy seancat, deputeti ishte dënuar me burg për mashtrim. Me arsyetimin se ishte i sëmurë, ai i shmangej burgut, por jo pjesëmarrjes në Kuvend.

Që prej javës së  kaluar, Qeveria Hoti nuk i ka 61 vota në Kuvend, sepse deputeti Etem Arifi nga komuniteti ashkali, vota e të cilit ia mundëson koalicionit shumicën e thjeshtë, ndodhet në burg.

Tani Partia e Ashkalinjve për Integrim, drejtohet nga nënkryetari Qazim Rrahmani, që aktualisht është zëvendësministër i Kulturës.

“Ende mendojmë se kjo është bërë vetëm për përmbushjen e statistikave ndaj luftimit të korrupsionit që të deklarohen ndaj bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Qazim Rrahmani, nënkryetar i PAI-së.

Bazuar në Ligjin për Zgjedhje, ish-deputetin Arifi, e zëvendëson i dyti në listë nga kjo parti, me më shumë vota. Në këtë rast, është zëvendësministri Rrahmani, i cili tashmë e ka ndarë mendjen.

“Do të jem deputet i Kuvendit në momentin kur të vjen procedura e zëvendësimit”, shprehet Rrahmani.

Procedura sipas Ligjit për Zgjedhje, neni 112, për zëvendësimin e një deputeti, fillon me kërkesë të Kuvendit drejtuar Presidentit, ky i kërkon emrin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të njëjtin t’ia përcjellë Kuvendit. Por a duhet qeveria Hoti të llogarisë në votën e 61 të partisë së Ashkalinjve, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar?

“Marrëveshja e definon se kjo Qeveri duhet të sjellë investime në komunitetin ashkali, në infrastrukturë, shëndetësi, edukim e mirëqenie më të mirë. Andaj, nese nuk respektohet marrëveshja, edhe ne dimë të jemi ata të cilët mund të bëjmë bllok”, shprehet Qazim Rrahmani.

Në prill 2018, Etem Arifi u dënua me dy vjet burg për mashtrim fondesh prej 26 mijë eurosh.

Fajësia iu vërtetua nga Apeli me 20 gusht 2020, por iu hoqën nëntë muaj nga dënimi.

Sipas Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron nëse ligjvënësi dënohet me një ose më shumë vjet burg. Përkundër dënimit, Arifi votoi në dy seanca të rëndësishme të Kuvendit, meqë gjykata ia miratoi kërkesat, që për arsye shëndetësore, të mos shkojë prapa grilave.

Më 25 mars, Arifi dha votën pro rrëzimit të Qeverisë Kurti, e me 3 qershor, gjithashtu votoi pro ngritjes së Qeverisë Hoti. Kërkesën për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim të deputetit Arifi në ato dy seanca, derisa ishte i dënuar, Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese me 11 qershor, e cila ende nuk ka vendosur për rastin. Euronews.al

- Advertisment -

Lexoni