Wednesday, May 18, 2022

BE: Kosova me përparim të pjesshëm

Bashkimi Evropian, në Paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, konstaton një përparim të pjesshëm të Kosovës.

Komisioneri i Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Verhely, do të prezantojë këto raporte para deputetëve të Parlamentit Evropian.

Në bazë të draftit në të cilin ka pas qasje koha, shihet se në rastin e Kosovës nuk ka asgjë të re dhe, pak a shumë, përsëriten të njëjtat probleme sikur edhe viteve të mëparshme.

Kësaj radhe, Komisioni Evropian ka përfshirë në raport një periudhë më të gjatë kohore, pasi ky raport është dashur të bëhej publik që në pranverë por ishte shtyrë, mes tjerash edhe për shkak të pandemisë.

Krimi i organizuar, korrupsioni, ndikimi i panevojshëm politikë në gjyqësor, administrata publike, kriteret ekonomike janë vetëm disa nga fushat në të cilat komisioni vlerëson se Kosova ka pasur vetëm “progres të limituar”.

Në një mënyrë kjo në këtë raport arsyetohet edhe me nevojën për përballje me pandeminë dhe me faktin se në këtë periudhë në Kosovë janë zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, dhe dy herë është ndryshuar qeveria.

Vet procesi zgjedhor në përgjithësi vlerësohet si i administruar mirë, me vërejtje se ka pasur “dobësi” në procesin e numërimit, si dhe vërejtjen se kandidatët e komunitetit serb, të cilët nuk ishin nga Lista Srpska, dhe mbështetësit e tyre, kanë qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve. Kërkohet nga Kosova që të adresohen mangësitë në reformat zgjedhore.

Edhe në këtë raport vlerësohet se duhet të bëhet më shumë për të adresuar rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe në pjesën ku flitet për lirinë e shprehjes përmendet ndikimi politik në Transmetuesin publik RTK, për të cilin duhet të gjendet një zgjidhje për financim.

Në raport vlerësohet vendimi i Kosovës për të hequr taksat për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina dhe kërkohet që, ngjashëm sikur edhe nga ana e Serbisë, të angazhohet në dialog për arritjen e një marrëveshjeje, e cila është “urgjentisht e nevojshme”.

Ky dialog ka rifilluar gjatë verës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Për sukses në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë kërkohet më shumë vullnet politikë.

“Administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas dhe autoritetet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për përpjekje të qëndrueshme për të rritur kapacitetet e tyre. Pandemia COVID-19 ka kufizuar mbajtjen e seancave në Gjykatë, megjithatë Kodi i Procedurës Penale thotë se, nëse nuk ka seanca për 3 muaj, atëherë procesi i gjykimit duhet të rifillojë”, thuhet në raport. Në këtë mënyrë kjo ka pasur ndikim në një numër i madh i rasteve, përfshirë edhe ato të profilit nivelit të lartë.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit thuhet se edhe këtu progresi ka qenë “i limituar”. Problem serioz mbetet niveli i ulët i konfiskimit të pasurisë e cila është arritur në mënyrë të paligjshme.

“Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet çështje e shqetësimit serioz. Nevojitet një vullnet i fortë politik që në mënyrë efikase të adresohen çështjet e korrupsionit, si dhe një përgjigje robuste ndaj korrupsionit në nivel të lartë” thuhet në raport.

Nënvizohet se është vonuar edhe reforma e ligjit për financimin e partive politike.

Vërejtje ka edhe për ndikime politike në rastet e hetimeve të krimit të organizuar, ku po ashtu progresi është “i limituar”.

“Nevojiten masat për të siguruar që të mos ketë ndërhyrje politike në veprimet operative të autoriteteve të rendit dhe prokurorisë”, thuhet në raport ku si sfidë përmendet edhe situata në veri të Kosovës.

Sfidë për Kosovën përmendet edhe rritja e madhe e shpenzimeve publike, sidomos gjatë vitit 2019.

“Rritja e rrogave në sektorin publik, zvogëlimi i shpenzimeve kapitale, rritja e presionit lidhur me shpenzimet sociale, që nuk janë në kuadër të qëllimeve të luftimit të varfërisë, paraqesin rrezik për zhvillimin e sektorit privat”, thuhet në raport.

Edhe shtetet tjera të rajonit, pak a shumë, kanë problemet e ngjashme ndonëse ato janë më të avancuara se Kosova në rrugëtimin e tyre evropian.

Krahas Raportit të progresit, Komisioni Evropian sot do të miratojë edhe një plan të zhvillimit ekonomik dhe investimeve për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

- Advertisment -

Lexoni