Afrimi i Kinës me Rusinë dhe bashkërendimi kundër Amerikës, Xi do të vizitojë Serbinë
Kandiq: Gjykimet e Speciales dhe ato në Serbi duhet të shkojnë paralelisht
Natasha Kandiq, ish-drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare, në Interaktiv ka thënë se gjykimet e Speciales dhe ato në Serbi duhet të shkojnë paralelisht.
Ajo ka theksuar se do të duheshin 100 vjet që ushtria serbe të spastrohej nga të gjitha krimet e luftës
“Deri në vitin 2011 Prokuroria tentonte që të gjykojë krimet e luftës dhe kishte edhe familje nga Kosova që përcillnin gjykimet. Nga viti 2010-2011 këtu absolutisht asgjë nuk ndodhë krahasuar me ato që ishin konstatuar nga Tribunali i Hagës. Tribunali kishte pasur dy gjykime të mëdha të gjeneralëve të ushtrisë e policisë. Aq kishte dëshmi e fakte të konstatuara saqë do të duhej 100 vjet që ato vërtet të zgjidhen dhe që ushtria e policia të spastrohen nga të gjitha krimet e luftës megjithatë në 2011 këtu ndalen aktakuzat dhe gjykimet janë minimale, pothuajse s’ka asgjë me çka Serbia mund të thotë se do të konfirmojë përgjegjësinë e ushtrisë e policisë”, ka thënë Kandiq.
Ajo ka shtuar se në Kosovë me arsye ka pakënaqësi kur do të gjykohen pjesëtarët e UÇK-së e që në anën tjetër në Serbi u ndal procedimi i krimeve të luftës që ishin kryer në Kosovë.
“Këto dy gjëra duhet të shkojnë bashkë. Gjykimet në Hagë dhe gjykimet në Serbi duhet të shkojnë bashkë. Kosova duhet të ballafaqohet me përgjegjësinë e vet por edhe Serbia sepse nuk përfundoi me faktin që Tribunali i Hagës dënoi gjeneralët. Serbia ka kuadër të madh të ushtarëve e policëve që janë përgjegjës e assesi kjo çështje të përfundojë me dënimin e urdhëruesve të vrasjeve. Askush në Kosovë nga përbërja e ushtrisë dhe policisë nuk ka shtënë si njeri i lirë, por sepse kjo ishte e lejuar dhe e zgjeruar që krim nuk është të vritet një shqiptar”, ka thënë Kandiq.
Kandiq ka theksuar se ky është momenti i fundit që gjykimet të fillojnë sepse dëshmitarët po zhduken.
“Nosha i ka mbuluar ata që do të mund të flisnin me bindje në gjykatë. Ky është momenti i fundit sepse ndaj gjykimeve në Hagë, Serbia duhet të përgjigjet me gjykime në vend sepse normalizim të raporteve ndryshe nuk mund të ketë mes dy vendeve”, ka thënë Kandiq.
Kandiq: Çështja e të pagjeturve s’është trajtuar seriozisht
Kandiq për Interaktiv ka thënë se çështja e të pagjeturve ende shërben që të flitet në nivel politik, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, derisa ka munguar një qasje serioze për këtë çështje.
“Çfarë mund të përfundojmë pas këtyre 20 vjetësh është që në vitin 2000 kur ndodhi arrestimi i Millosheviqit dhe ndërrimi i pushtetit në Serbi, atëkohë u zbuluan varrezat masive për të cilat askush nuk e dinte. Do të thotë pas kësaj në njëfarë forme thjesht u ndal tregimi rreth varrezave masive, për të vrarët, për viktimat dhe të pagjeturit dhe ende edhe sot ato lista dhe të dhëna për të pagjeturit shërbejnë edhe në Serbi edhe në Kosovë që të flitet në nivel politik për të pagjeturit e që në ndërkohë nuk ishte formuar asnjë organ që me fatin e të pagjeturve do të merrej në mënyrë shumë serioze”, ka thënë Kandiq.
Sipas saj nëse dikush nga komisionet qeveritare, qoftë, EULEX-i ose ICMP (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur) ose ndonjë komision qeveritar në Kosovë apo Serbi do të donin të merreshin seriozisht me të pagjeturit atëherë do të duhej të bënin një analizë të detajuar të secilit rast individual, e më pas do të tregohej se ku ndodhen të dhënat rreth varrezave masive, shembull.
“Të gjithë ata që u vranë në Izbicë, trupat i zhvendosën forcat e armatosura të republikës së Serbisë. Andaj nuk ka kurrfarë misteri që tani dikush i tretë të pyetet se ku ndodhen trupat. Ato ndodhen atje se ku u zhvendosën në Petrovo Selo, sidoqoftë përgjegjësia është tek institucionet shtetërore të Serbisë”, ka thënë ajo.
Kandiq ka treguar edhe për rastet, për të cilat sipas saj kanë informacione komandantët e UÇK-së.
“Sa iu përket për shembull minatorëve të pagjetur në vitin 1998 nga Bellaqevci, ata kanë mbetur edhe 6, të dhënat rreth kësaj i fshehin komandantët e atëhershëm të UÇK-së dhe këtu nuk ka kurrfarë fshehtësie ose rasti i të pagjeturve në Poklek në vitin 1998, aq kishte tregime bindëse për këtë saqë në fabrikë në Drenas ishin ndezur furrat dhe një ditë pas aksionit të policisë në Poklek nuk mund të hyhej në fabrikë dhe kishte dyshime se pati gjak saqë ishte shpëlarë qasja në fabrikë kishte aq shumë tregime se pati djegie të trupave në Drenas (Gllogovc). Ky tregim ishte aq i tmerrshëm saqë është dashur para 20 vjetësh të verifikohej dhe këtu s’kemi pse të pyesim kush e ka përgjegjësinë ose kush duhet verifikuar”, ka thënë Kandiq. “Ose nëse pyesim se çfarë ndodhi me të pagjeturit e vitit ’98, atyre dokumentet e të cilëve u gjetën nëpër kampe në Likoshan. E dimë se përgjegjësia është e komandantëve dhe UÇK-së pavarësisht pse të njëjtit në gjykimet e Tribunalit të Hagës ishin liruar, informatat i kanë ata”.
Tutje ajo ka shtuar se familjarët duan që t’i varrosin më të dashurit e tyre.
“Por nëse pyesim se çfarë ndodhi me trupat e njerëzve nga Krusha e Vogël, edhe pse në Kosovë kishte gjykim në aktakuzë nuk ishte e përfshirë pjesa se ku ndodhën ata trupa. Kishte gjykim për veprën e caktuar penale për plaçkitje, për pjesëmarrje në masakrim të trupave, por familjet s’mund të jenë të kënaqura me këtë. Ato i kërkojnë mbetjet mortore. Ato duan që edhe familjet e tjera të cilëve u janë vrarë të dashurit të kenë vend për t’i varrosur. Ata duan që pasardhësve të tyre t’ua lënë një vend ku mund të dinë e kujtojnë të dashurit. Kështu kur s’ka varr s’ka simbol fizik që dikush ekzistoi, ishte gjallë ose u vra… është zor”, ka thënë Kandiq.
Ajo ka shtuar se ky është problemi që kanë edhe me gjykata, sa herë që bëhet fjalë për person të pagjetur gjykata nuk merret me këtë sepse gjykatës i duhen dëshmitë e mjekësisë ligjore, shënime për eks’humim, shënim për shkakun e vdekjes dhe atëherë duhet konfirmuar përgjegjësia.
“Familjet nuk mund ta kuptojnë këtë, as opinioni publik nuk mundet të kuptojë se gjykata këtë nuk mund ta zgjidhë dhe mbetet përgjithmonë pyetja se çfarë fati pati, çfarë ndodhi nga momenti kur dikush ishte rrëmbyer, u arrestua jashtëligjshëm, çfarë nënkupton kur dikush zhduket, kur nuk ka dëshmitarë se si dikush diku u arrestua, u mbyll ose vrarë. Ne kemi një tregim të thjeshtë politik e që në fakt padyshim flet që ata të cilët posedojnë informata nuk do t’i ofrojnë”, ka thënë ajo.