I hidhte koleges qetësues në kafe që ta nxirrte keq në sy të shefave: Gruaja dënohet me 4 vjet burg
Një grua italiane përshkroi se si një rivalitet ekstrem në vendin e punës për pak sa i mori jetën.
Alice Bordon, shënjestra e komplotit, tha për gazetën La Stampa se i kishte besuar gjithmonë koleges dhe ishte ende e befasuar se ajo ishte përpjekur ta “eleminonte” duke i hedhur qetësues në kafe, në mënyrë që ajo të ndihej e përgjumur dhe të mos përformonte mirë në punë.
Ish-kolegia, Mariangela Cerrato, u dënua këtë javë me katër vjet burg. Gjykata vendosi se ajo kishte dashur të diskreditonte Alice-n në sytë e shefave të kompanisë.
Komploti i kafesë daton në tetor të vitit 2017. Si gjithmonë, Mariangela u bleu kolegëve të saj kafe nga një bar pranë zyrës së tyre në Bra, një qytet në Piemonte. “Zakonisht do ta pija me ngadalë, por atë ditë e ktheva me një gllënjkë,” tha Alice. Më pas, ajo humbi ekuilibrin teksa ecte drejt tryezës së punës. “Gjithçka ishte e zezë, ndjeva sikur po notoja.”
Alice pati të njëjtin reagim edhe pasi piu disa kapuçino të blera nga Mariangela. Në një tjetër rast, përplasi makinën në një mur.
Vetëm për Krishtlindjet e po të njëjtit vit rasti i saj u bë i dyshimtë. “Ajo kishte marrë disa ditë pushim dhe gjatë asaj kohe isha mirë,” tha Alice. “Mendova mos kishte lidhje mes kafesë dhe krizave shëndetësore. Një neurolog më këshilloi që të mos e pija për një muaj dhe këtë gjë bëra.”
Disa muaj më vonë, ajo pranoi një kapuçino tjetër nga Mariangela, por piu vetëm gjysmën. “E vendosa gjysmën tjetër në një epruvetë dhe testet zbuluan se ajo përmbante 10 herë më shumë sasinë e qetësuesit që këshillohet zakonisht.”
Mariangela u kap më pas në flagrancë. “Me policinë e përfshirë, ne arritëm ta ndalojmë teksa po hidhte ilaçin në kafenë time.”
Burimet: La Stampa, Guardian