Al Pacino dhe Dan Stevens do të luajnë në filmin ekzorcist të bazuar në një
Qentë endacak kafshojnë një grua shtatzënë, Ahmeti kërkon t’u jepet komunave përgjegjësia e plotë
Një grua shtatzënë është kafshuar nga qentë endacakë në Prishtinë, ka konfirmuar kreu i kësaj komune, Shpend Ahmeti.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se gjendja është alarmante, derisa ka kërkuar që të shpallet gjendje emergjente ose t’u jepet komunave përgjegjësia e plotë.
Ahmeti gjithashtu ka thënë se kanë hasur në vesh të shurdhër kur e kanë adresuar këtë çështje.
“Situata me qentë endacak është alarmante në çdo Komunë të Republikës së Kosovës. Edhe njëherë javën e kaluar të gjitha Komunat përmes Asociacionit në takim urgjent me AVUK kërkuam strategji emergjente për dalje nga kriza por hasëm në vesh të shurdhër thua se është thjeshtë çështje administrative”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti ka shtuar se AVUK-u ka marr buxhet 1.3 milion euro për krejt Kosovën për këtë çështje por sot jemi më keq se që kemi qenë.
“Ligji kërkon që qentë endacak të trajtohen dhe të kthehen në rrugë. Vetëm veterinari i certifikuar mund të vendosë për eutanazimin e qenit dhe vetëm në qoftë se është i sëmurë. Përkundër qindra mijëra eurove të shpenzuara edhe nga Komuna kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç. Kjo kërkon strategji gjithëpërfshirëse dhe hapa emergjent tani”, ka shkruar Ahmeti.
Ai i është drejtuar presidentit, kryeministrit e deputetëve që t’i japin përgjegjësi të plotë komunave.
“Sot në Prishtinë është kafshuar një grua shtatzënë. Z. President, z. Kryeministër, Deputetë ose na jepni përgjegjësinë Komunave, përgjegjësinë e plotë ose shpallni gjendjen emergjente për ta trajtuar situatën! Kur të kemi viktima, mos të vajtojmë!”, ka shkruar Ahmeti.