Trump dhe Biden përplasen në debatin e fundit presidencial në SHBA
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, ish-zv. presidenti Joe Biden ndodhen në Neshvill për debatin e fundit presidencial përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Moderatorja e debatit Kristen Walker nga NBC News do t’i drejtojë ata mes çështjeve kryesore si pandemia COVID-19, siguria e familjeve amerikane, siguria kombëtare, çështje racore dhe lidershipi. Secili prej tyre do të ketë 15 minuta kohë për të diskutuar për çështjet e parashikuara.
Në skenën e debatit janë vendosur xhama për të mbajtur distancën mes dy kandidatëve si një masë për parandalimin e COVID-19. Gjatë ditëve të fundit të Trump dhe Biden kanë mbajtur fushata intensive ku nuk kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Pandemia COVID-19
“Ne do të kemi gjashtë tema kryesore. Në fillim të çdo seksioni çdo kandidat do të ketë mundësinë për dy minuta që t’i përgjigjet. Vendi po shkon drejt një situate të rrezikshme, ku spitalet janë të mbushura. Gjatë kësaj faze të coronavirusit, ku mijëra amerikanë kanë vdekur, cila është lëvizja juaj?” Ishtë pyetja e parë e moderatores Kristen Walker.
“Kemi gjetur mundësinë për të luftuar këtë sëmundje mbarëbotërore dhe nëse e keni vënë re mortaliteti është ulur me 25%. Po ju them nga përvoja personale se isha në spital, dhe ata që më dhanë ata më rikuperuan shumë shpejt. Ky virus do të largohet shumë shpejt”, tha presidenti Trump, i cili ishte i pari që mori fjalën.
“Ne ndodhemi në rrethana ku presidenti aktual nuk ka asnjë plan për ta ndaluar këtë sëmundje. Unë do të siguroj që të kemi testime të shpejta, unë do të siguroj që të kemi standarte që shkollat të jenë të sigurta. Kjo është një situatë tragjike dhe unë do të sigurohem që të kemi një përgjigje të sigurtë”, ishte kundërpërgjigja e Biden.
Presidenti Trump premtoi edhe një vaksinë kundër COVID-19 që sipas tij “do të jetë e disponueshme shumë shpejtë”.
“Në fillim më quajti ksenofob dhe tani më thotë se duhet t’i kasha mbyllur kufijtë shumë më herët. Asnjë nuk e dinte se çfarë të bënte. Ne nuk mund ta mbyllim dot vendin, duhet të rikuperohemi. Shkollat duhet të vazhdojnë”, tha Trump.
Ndërhyrje nga Irani dhe Rusia?
Një tjetër temë e debatit ishte një ndëryhyrje e mundshme e Iranit dhe Rusisë në manipulimin e zgjedhjeve, kryesisht në shtetin e Floridas. Joe Biden tha se “kushdo që do të ndërhyjë në zgjedhjet e Amerikës do të paguajë një çmim, pasi po cënon sovranitetin e SHBA.”
“Rusia po mundohet që unë të mos zgjidhem president”, tha Biden, ndërsa akuzoi presidentin Trump pse është kaq i qetë dhe nuk reagon asnjëherë ndaj presidentit rus Putin.
Trump e ka akuzuar Biden se ka marrë 3.5 milionë dollarë nga Putin, ndërsa tha se ai nuk ka asnjë financim nga Rusia.
Joe Biden është akuzuar nga presidenti Trump se gjatë mandatit të tij si zv. president i SHBA, bashkë me presidentin Obama, nuk bënë asgjë kur Rusia mori një pjesë të Ukrainës, duke iu referuar Krimesë.
Marrëdhëniet SHBA-Kore e Veriut
Kandidatët për Shtëpinë e Bardhë folën rreth situatës së raketave koreano-veriore dhe marrëdhënieve mes dy shteteve, ku presidenti Trump shpjegoi se me Korenë e Veriut, SHBA ndodhet aktualisht në marrëdhënie të mira, “ndërsa mund të ishte në një luftë”.
“Ne do të kemi një marrëveshje ku edhe Kina do të jetë e përfshirë, prandaj shkova në Kinë. Ne do të sigurohemi që t’i kontrollojmë, sepse Korea e Veriut është problemi. Ndërsa ai ka legjitimuar Korenë e Veriut. Ai ka thënë për shokun e tij të mirë që është një gangster dhe ata kanë më shumë aftësi të armëve bërthamore që mund të godasin vende shumë herë më lehtë se më përpara”, tha Biden, i cili shtoi se do të takohej me udhëheqësin e Koresë së Veriut “vetëm nëse ai të pranonte se do të do të tërhiqte mbrapsht kapacitetet bërthamore”.
“Gadishulli Korean duhet të jetë një zonë pa armë bërthamore,” tha Biden.
Trump është udhëheqëi i parë në krye të SHBA që ka qenë në Korenë e Veriut dhe që ka mbajtur takime dhe samite me udhëheqësine e Koresë, Kim Jong Un.
“Të kesh një marrëdhënie të mirë me udhëheqësit e vendeve të tjera është diçka e mirë,” argumentoi Trump.
Ndërsa Biden tha: “Kjo është si të thuash se kishim një marrëdhënie të mirë me Hitlerin para se ai në të vërtetë të pushtonte Evropën, pjesën tjetër të Evropës. Çfarë po thua?!”
Situata ekonomike në SHBA
Një çështje tjetër e debatiti ishte situate ekonomike dhe paga minimale, ku presidenti Joe Biden tha se do të vendoste pagë minimale 15 dollarë ora, gjë që është kritikuar nga presidenti Trump, i cili tha se një lëvizje e tillë do ta çonte vendin në falimentim, pasi sipas tij, rritja e pagës minimale, bazuar në praktika të shkuara sjell falimentim të biznesit dhe “aq më tepër në një situatë të tillë ekonomikë të shkaktuar nga pandemia e COVID-19”. Ai tha se nuk është kundër vendosjes së pagës minimale, 15 dollarë ora, por ajo duhet vendosur duke bërë një studim shtet pas shteti për të diferencuar shtetet më të zhvilluara nga ato që janë më pak të zhvilluara dhe që të mos kishte një impakt negativ sa i përket situatës.
Sistemi shëndetësor
Presidenti Donald Trump është shprehur se është kundër sistemit aktual shëndetësor “Obama Care” dhe se do të ketë një sistem tjetër, por në rast se nuk do të arrijë ta rrëzojë atë, do ta ndryshojë për t’ju dhënë më shumë mundësi amerikanëve për të pasur një sistem shëndetësor të fortë.
Ai akuzoi rivalin e tij Joe Biden se kërkon të zerojë të gjitha sigurimet private shëndetësore, ndërsa theksoi se në SHBA më shumë se 180 milionë amerikanë kanë sigurim privat shëndetësor.
Çështjet klimatike
Sipas Trump, SHBA aktualisht ka numrim më të ulët të emetimeve të karbonit në 35 vitet e fundit.
“Ne kemi shumë programe të ndryshme për hapjen e punëve të reja lidhur me çështjet klimatike. Mua më pëlqen mjedisi, pikërisht që të kemi ujë të pastër, dhe ne kemi numrin më të ulët të emetimeve të karboneve. E di që Obama flet gjatë gjithë kohës, jo Joe, unë Joe nuk e kam dëgjuar ta përdori këtë, sepse nuk besoj se Joe e di këtë, por ne kemi numrin më të ulët të emetimeve të karbonit që kemi pasur në 35 vjet me këtë administratë. Ne po punojmë shumë mirë me këtë. Shikoni Kinën, Rusinë, shikoni sa të pista janë.”