Shqipëri: Nga ferri xhihadist përsëri në atdhe

230

Katër fëmijë dhe një grua nga Shqipëria kthehen të martën (27.10) në vend pas evakuimit të tyre të hënën nga kampi i refugjatëve ”Al Hawl”, të ngritur prane kufirit të Irakut me Sirinë.

-Advertisement-
Albanien | Premierminister Rama Treffen mit Flüchtlingskindern (Press Office, Premiership)

Burime zyrtare nga Gjysmëhëna e Kuqe e Sirisë, bëjnë të ditur se evakuimi i 4 fëmijëve dhe grua shqiptare nga kampi “Al Hawl” u realizua nga bashkëpunimi mes qeverisë siriane me autoritetet Antiterror të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama, në mbrëmjen e së hënës, (26.10) ka mbërritur në Liban, ku ka takuar fëmijët  dhe gruan dhe do t’i shoqërojë ata gjatë kthimit të tyre në atdhe. Me kthimin e tyre në Shqipëri “përfundon faza e parë e një operacioni kompleks, të ndihmuar nga forcat e Shqipërisë në terren dhe forca të tjera, pas më shumë se një viti negociatash sekrete pafund dhe përpjekjesh diplomatike. Shpëtimi i fëmijëve të tjerë nga ferri i kampeve të Sirisë do të bëhet në fazën e dytë të operacionit,” bëri me dije mbrëmë Kryeministri Rama, në median sociale.

Pasojat tragjike të “luftëtarëve të huaj”

ISIS e konsideron kampin ” Al Hawl” si burimin kryesor të mbështetësve të tij nga e gjithë bota, që janë vendosur në këtë kamp. Sipas shifrave zyrtare në “Al Hawl” ndodhen rreth 12 mijë vetë, mes tyre gra dhe fëmijë nga familjet e “luftëtarëve të huaj”,  që u kapën gjatë luftimeve kundër ISIS dhe u sollën në këtë kamp. Mes tyre ka edhe 70 fëmijë dhe gra nga Shqipëria dhe Kosova. Kampi administrohet dhe është nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,(SHBA).

Fëmijët e “luftëtarëve të huaj” të vrarë në luftime apo të kapur dhe të sjellë në këtë kamp, janë viktimat më të pafajshme të burrave dhe grave nga Shqipëria apo vendeve të tjera që u rekrutuan dhe u përfshinë në luftën për të ngritur ISIS. Gruaja, F.R. që kthehet të martën në Shqipëri ka humbur burrin e saj në luftime që në vitin 2014. Sipas burimeve zyrtare ai frekuentonte një xhami në Tiranë dhe ishte rekrutuar prej imamit të asaj xhamie. Për gruan dhe katër fëmijët janë kryer kontrolle mjekësore dhe janë vënë në dispozicion veshmbathje për kthimin e tyre në Shqipëri. Kthimi sot në Shqipëri i katër fëmijëve përbën rastin e dytë të evakuimit pas atij të vitit të kaluar kur nga kampi “Al Hawl” u shpëtua një fëmijë tjetër shqiptar, A.B. Nëna e tij iu bashkua ISIS dhe humbi jetën gjatë luftimeve kur fëmija ishte vetëm 6 vjeç.