Atentatet, tenisi dhe 250 cigare në ditë: 50 fakte nga jeta e Ahmet Zogut
Ndahet nga jeta aktori i humorit Koço Devole
Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me koronavirusin aktori i mirënjohur i humorit shqiptar Koço Devole.
Lajmi është konfirmuar nga bashkëpunëtorë të aktorit 75-vjeçar, i cili lë pas një trashëgimi të vyer në kinematografinë dhe median shqiptare.
Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllime për humbjen e tij përmes një postimi të shkurtër në Facebook.
I njohur për interpretimet në Estradën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë krah aktorëve të tjerë si Roland Trebicka, Zef Deda apo Sejfulla Myftari, Devole spikati gjithashtu edhe si karikaturist në revistën satirike Hosteni.
Në fund të viteve 70-të nisi punën në Radiotelevizionin publik Shqiptar (RTSH) ku kontribuoi si skenarist, regjisor apo dhe aktor në programacionet e mbrëmjeve të fundvitit dhe në disa telekomedi.
Aktiviteti më i rëndësishëm i karrierës së tij ishte në mes të viteve 90-të ku në disa bashkëpunime me Pali Kuken, Agim Bajkon, Agron Llakën, Mehdi Malkajn dhe Vasillaq Vangjelin, sollën në ekranet shqiptare komedi si “Mos shko o trim”, “Një ditë i çmendur”, apo “Gjuetia e fundit” dhe “Të gjallë apo të vdekur”, vepra të cilat mbeten ndër të vetmet që kanë ironizuar periudhën e regjimit komunist dhe diktatorit Enver Hoxha.
Prej fillimit të viteve 2000 ai nisi bashkëpunimin me Top-Channel ku kontribuoi në emisionin “Fiks-Fare” dhe disa herë në programin humoristik “Portokalli”.