Macron: Dialogu Kosovë – Serbi, çështje e sigurisë evropiane
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka quajtur çështje të sigurisë evropiane dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në kuadër të Samitit të Sofjes, ai ka thënë se që nga fillimi i vitit 2020 ka pasur disa gjëra pozitive në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur edhe rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ishte ndërprerë për rreth 20 muaj.
“Mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës është çështje e sigurisë evropiane, prandaj është qenësore që Bashkimi Evropian të udhëheqë ndërmjetësimin mes dy palëve në mënyrë që të përfundojë në të mirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Franca ka kontribuuar në “hapat pozitivë në Ballkan”.
Sa i përket temës së bashkëpunimit ekonomik rajonal, Macroni ka thënë se ky ka qenë qëllimi kryesor i procesit të Berlinit që nga viti 2014.
Në fund, Macroni ka përmendur edhe zotimet për të cilat shtetet e Ballkanit duhet t’u përmbahen. Sipas tij, Ballkani duhet të forcojë bashkëpunimin e ndërsjellë të shteteve, të përshpejtohen reformat në sundim të ligjit dhe qeverisje ekonomike, dhe të luftohet terrorizmi.