U shpall Miss Universi në 1965-n, 76-vjeçarja zbulon sekretet e saj për t’u dukur si

Vjosa Osmani infektohet me koronavirus
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha të martën se është infektuar me koronavirus.
Zonja Osmani që njëherësh është kryetare e parlamentit të Kosovës, e bëri këtë njoftim nëpërmjet llogarisë së saj në facebook duke theksuar se “në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”.
Ajo shkroi se “përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë”.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha të martën se 16 veta kanë humbur jetën dhe janë konfirmuar 690 raste të reja me koronavirus përgjatë 24 orëve të fundit.
Që nga marsi i këtij viti 30 mijë e 495 veta janë prekur nga koronavirusi, ndërsa 849 kanë humbur jetën nga pasojat e tij.