
Mbledhje e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe homologia e tij kosovare, Albulena Balaj-Halimaj kanë caktuar 25 janarin si datën e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët qeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Zv/kryeministrja Balaj-Halimi, përshëndeti “vullnetin e mirë” të Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar me vendin e saj, duke theksuar se, Kosova është shumë e interesuar që të nënshkruajë disa marrëveshje që janë në interes të vendeve, por edhe të qytetarëve.
Balaj-Halimi njoftoi se deri më tani për në 25 janarin janë planifikuar të nënshkruhen rreth 20 marrëveshje, të cilat, siç njoftoi ajo, dalin nga katër nismat e dakorduara nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Mbledhja qeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e planifikuar për më 25 janar do të jetë mbledhja e parë qeveritare midis dy vendeve fqinje.