
Bie në 11 numri i komunave në zonën e kuqe
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një komunikatë për media ka njoftuar se ka rënë në 11 numri i komunave në zonën e kuqe, me rrezikshmëri të lartë nga COVID-19.
“Sot kemi rangimin e ri të komunave, këtë javë ituata është me qetë. Nga 10 dhjetori janë 3355 raste pozitive. Këtë javë në zonën e kuqe janë 11 komuna, nga 16 sa ishin”, ka thënë Zemaj.
Në zonën e kuqe janë: Prishtina, Zveçani, Zubin Potoku, Fushë Kosova, Obiliq, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Drenasi dhe Podujeva.
Në zonën e verdhë janë 11 komuna: Kamenica, Kllokoti, Gjakova, Vitia, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaj, Shtërpca, Istogu dhe Ranillugu.
Në zonën e gjelbër janë 16 komuna: Graçanica, Klina, Hani i Elezit, Shtimja, Suhareka, Rahoveci, Skenderaj, Parteshi, Prizreni, Malisheva, Deçani, Novobërda, Kaçaniku, Juniku, Dragashi dhe Mamusha.
Ai ka thënë se Qeveria është duke përgatitur masa të tjera që do të hyjnë në fuqi nga java tjetër, jo veç për komuna por në nivel vendi.
“Sot është një ditë kur nxënësit e përmbyllën këtë gjysmëvjetorë. IKSHPK-ja ka bërë mbikëqyrjen e institucioneve shkollore. IKSHPK-ja është e angazhuar për dy lloje të testimit para fillimit të vitit shkollor. Përcjellja e situatës është bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe kohë reale. Deri më tani nga 15 shtatori deri më sot 10823 mësimdhënës janë testuar, 1615 kanë rezultuar pozitivë dhe 6792 nxënës kanë rezultuar pozitivë”, ka thënë Zemaj. “Dëshirojmë të ju sigurojmë se kemi ndërmarrë masa që Kosova t’i ketë sa më parë vaksinat për t’i dhënë fund pandemisë. Jemi angazhuar për doza të mjaftueshme.
Ai ka bërë të ditur se kanë formuar edhe grupin punues për definimin e nevojave.
“Covax do të sigurojë vaksinën COVID-19 për vendet në zhvillim më të ulët dhe po punohet të sigurohet në tremujorin e parë. Këtu përfshirë edhe zinxhirin ftohës të vaksinës. Ju sigurojmë se nuk do të mbetet askush pa vaksinë sepse ne e kemi për obligim. Kemi opsione të mjaftueshme për sigurimin e vaksinës qoftë përmes buxhetit ose kontributet e donatorëve. Jemi duke punuar edhe në drejtime të tjera. Pra, të vazhdojmë të respektojmë masat në fuqi dhe më pas t’i nënshtrohemi edhe procesit të vaksinimit”, ka thënë Zemaj.