U shpall Miss Universi në 1965-n, 76-vjeçarja zbulon sekretet e saj për t’u dukur si

Neue Zürcher Zeitung: Gjykata Speciale shpresa e fundit për drejtësi në Kosovë
Në numrin e së hënës gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) ka botuar një tekst të gjatë mbi pritjet e mëdha në Kosovë nga Gjykata Speciale, e cila po i heton krimet e kryera nga individë të UÇK-së. Gazeta ka biseduar me deputetin e LDK-së Fetah Rudi, i cili tregon se si në një natë dhjetori të vitit 2000, pas një takimi me Ibrahim Rugovën në Prishtinë, po udhëtonte drejt Malishevës. Gjatë rrugës Rudi vërejti se një veturë Opel Astra tejkaloi automjetin me të cilin po ecte Rudi dhe dy persona hapën zjarr.
14 plumba qëlluan politikanin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa dy shoqëruesit e Rudit shpëtuan. Rudi mbijetoi, por mbeti përgjithmonë i lidhur për karrigen e invalidit. Askush nuk u mor në përgjegjësi për këtë krim, shkruan gazetari Andreas Reich për “Neue Zürcher Zeitung”. “Për Rudin është e qartë se vrasësit vepruan me urdhër të SHIK-ut, shërbimit sekret të Partisë Demokratike të Kosovës”.
Sipas gazetës zvicerane disa nga krerët e kryengritjes së armatosur u sollën në mënyrë brutale kundër rivalëve politikë, pasi në tetor të vitit 2000 në zgjedhjet lokale fitoi LDK, kurse PDK si krah politik i UÇK-së nuk arriti të marrë pushtetin. “PDK nuk pajtohej që postet kryesore në vend të mbaheshin nga figura të LDK-së. Nga rrethi i PDK-së u ushtrua presion ndaj politikanëve të LDK-së që të ndërrojnë anë. Edhe Fetah Rudi mori kërcënime”, shkruan “NZZ”. Gazeta thekson: “Mendohet se SHIK-u pas luftës kreu deri në 200 vrasje të kundërshtarëve politikë. Ato ishin një nga mjetet përmes të cilave PDK mori pushtetin në vend. Numri i saktë i vrasjeve të supozuara të kundërshtarëve të politikë nuk është i konfirmuar. Sistemi i korruptuar kosovar i drejtësisë, mbrojtja e mangët e dëshmitarëve dhe akterët ndërkombëtarë që më shumë rëndësi i kushtuan stabilitetit politik se sa ndjekjes penale të figurave të nivelit të lartë, u kujdesën që shumica e rasteve të mbesin të pandriçuara”.
Sipas “NZZ” ka gjasa që tani kultura e mosndëshkimit të marrë fund. Që nga fillimi i nëntorit disa figura kyçe të UÇK-së gjenden në burg në Hagë. “Bëhet fjalë për figura absolutisht qendrore të jetës publike në Kosovë: Hashim Thaçi, deri pak para arrestimit ishte kryetar i shtetit, apo ish-shefi i SHIK-ut dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli”. Sipas “Neue Zürcher Zeitung” komandantët e dikurshëm të UÇK-së Thaçi dhe Veseli viteve të fundit kanë humbur mjaft popullaritet në mesin e përkrahësve. Në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar PDK doli partia e tretë. “Për një pjesë të madhe të popullsisë PDK sot simbolizon një elitë arrogante pushteti që vepron në mënyrë jotransparente dhe nuk simbolizon luftën çlirimtare kosovare”.
Megjithatë, nënvizon gazeta, identifikimi dhe solidariteti me UÇK-në si simbol i luftës çlirimtare ende është i madh. Shumë njerëz e konsiderojnë Gjykatën Speciale si të padrejtë, sepse e vë në dyshim UÇK-në si tërësi. Fetah Rudi kundërshton këta zëra: “Nuk po e nxjerrin UÇK-në para gjyqit në Hagë dhe as luftën tonë çlirimtare, por individët që tani janë akuzuar”. Ai thekson se Gjykata Speciale është shpresa e fundit për drejtësi në Kosovë. Ajo kryen punën që nuk e kanë kryer për dy dekada autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare të drejtësisë, deklaroi Rudi. Ai thotë se është i gatshëm të dëshmojë në Hagë nëse merr ftesë. “Tek pasi të dënohen këta njerëz që gjenden në Hagë, Kosova do të ketë lirinë e plotë”, thotë deputeti i LDK-së.