“E ndërkohë plakesh, i bindur se vite më të mira do të vijnë”

Pas sulmit ndaj mjekëve në Prizren pason reagimi: Ne ju mjekojmë, e ju na rrihni. Bravo ju qoftë!
Një përleshje fizike ka ndodhur të shtunën rreth orës 22:10 në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, ku tre persona kanë sulmuar stafin mjekësor, me ç’rast lëndime kanë pësuar personat nga stafi mjekësor dhe sulmuesit.
Policia e Kosovës në raportin për 24 orët e fundit njofton se në emergjencë ka ndodhë një përleshje në mes të tre të dyshuarve meshkuj kosovarë dhe katër personave personel mjekësor.
Pas sulmit ndaj mjekëve e infermierëve në Spitalin e Prizrenit, ka reaguar drejtori i këtij institucioni shëndetësor.
Drejtori i QKMF-së në Prizren Xhevat Elezkurtaj, ka vizituar stafin e Shërbimit të Urgjencës, i cili u sulmua fizikisht mbrëmë në vendin e punës.
“Ne ju mjekojmë, e ju na rrihni. Bravo ju qoftë!”, ka thënë Elezkurtaj.
Sipas tij, mjekët dhe infermierët nuk e meritojnë që të sulmohen fizikisht.
“Ne u ofrojmë shërbime shëndetësore 24 orë, me kapacitetet tona dhe takatin tonë. Nga kontaktet me të sëmurë me Covid shumë mjekë dhe infermierë janë infektuar ku katër prej tyre kanë vdekur”, ka theksuar ai.
“Për shkak të punëve të mëdha ndoshta edhe bëjmë shkelje etike dhe disiplinore, por ajo ekip e mrekullueshme nuk e meriton të sulmohet fizikisht dhe të pësojë lëndime trupore”
Pas sulmit ndaj stafit mjekësor kishte reaguar edhe kryeministri Avdullah Hoti:
“Ngjarja e mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar:, ka shkruar Hoti.
Ai ka rikujtuar se mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar.
“Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme.E dënoj këtë sulm dhe çdo sjellje të pa dinjitetshme, e cila rrezikon integritetin fizik të personelit mjekësor. I ftoj organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt”, ka nënvizuar Hoti.