
Gjendje më e mirë: Vetëm 8 qytete janë në zonën e kuqe
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se numri i qyteteve në zonën e kuqe ka rënë në tetë.
Kjo si rezultat i rënies së lakores me të infektuar në qytete.
“Lakorja e infeksionit është në drejtimin e duhur të rënies andaj të vazhdojmë edhe mëtej me respektim të masave nga qytetarët dhe mbikëqyrje nga institucionet relevante. Në bazë të numrit të të infektuarve gjatë javës për 100.000 banorë, kemi ndryshim në kategorizim të zonave. Në zonën e kuqe, këtë javë janë vetëm 8 komuna nga trefishi i fillim muajit dhjetor”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka konfirmuar se në zonën e kuqe janë: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Podujeva, Zveçani dhe Zubin Potoku.
Në zonën e verdhë janë 11 komuna: Kamenica , Gjakova, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaji, Shtërpca, Leposaviqi, Lipjani, Graçanica dhe Novobërda.
Ndërsa në zonën e gjelbër janë 19 komuna: Drenasi, Klina, Hani i Elezit, Shtimja, Suhareka, Skënderaji, Malisheva, Parteshi, Rahoveci, Prizreni, Deçani, Kaçaniku, Juniku, Dragashi, Mamusha, Kllokoti, Vitia, Istogu dhe Ranillugu.
“Pavarësisht masave të përgjithshme, kategorizimi i komunave do të vazhdojë, ndërsa kujdesi duhet të rritet. Ndërsa sa i përket situatës epidemiologjike, brenda 24 orëve të fundit nga 1,048 mostra të marra, 249 raste kanë rezultuar pozitivë, ndërsa kemi 538 të cilët e kanë fituar betejën me Covid-19”, ka thënë Zemaj.