
Qeveria: Vaksinat e Serbisë kanë hyrë ilegalisht në Kosovë
Qeveria në detyrë e Kosovës ka reaguar më në fund pas raportimeve nga veriu i vendit dhe autoritetet e Serbisë se të premtën në komunat veriore të Kosovës ka filluar vaksinimi i pjesëtarëve të komunitetit serb me vaksinën anti-Covid, të firmës Pfizer.
Qeveria në largim thotë se në bazë të informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër Covid-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.
“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Më tej thuhet se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Ishte vet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ai që tha se edhe në Kosovë ka filluar vaksinimi, fillimisht i personave të moshuar, mbi 75 vjeç nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Serbisë.
Të premtën është raportuar se janë vaksinuar 50 persona.
Serbia, në total ka siguruar vetëm 5.000 vaksina dhe se sasia e dërguar në veri të Kosovës më shumë mund të jetë simbolike dhe besohet se është bërë me qëllim të provokimit të situatave konfiktuoze me Kosovën.