Reperi i hitit “Gasolina” Daddy Yankee zbulon arsyen se përse hoqi dorë nga muzika!

Avdullah Hoti kandidat i LDK-së për kryeministër
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka caktuar Avdullah Hotin kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
Zgjedhjet e reja të dala nga rrëzimi i qeverisë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duke e shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, pritet të mbahen në fillim të vitit 2021. Me t’u publikuar aktgjykimi i plotë nga Kushtetuesja, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja e Qeveria në krye me Hotin do të mbetet qeveri në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.
Hoti ishte zgjedhur kryeministër në fillim të qershorit.
“Kemi vlerësuar se qeveria ka bërë punën mirë, se qeveria ka arritur suksesshëm të kthejë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kemi vlerësuar se qeveria ka qenë shumë e zellshme në luftën kundër pandemisë. Kemi vlerësuar se programi i rimëkëmbjes ekonomike është i mirë. Vlerësimet tona janë se qeveria nuk ka ra si pasojë e mospunës së saj e si pasojë e përgjegjësisë së kësaj qeverie sepse qeveria nuk i zgjedhe deputetët dhe gjithë kjo ka ndodhur jo me fatin e qeverisë. Hoti do të vazhdojë të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër”, ka thënë në prezantimin e kandidaturës së Hotit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Hoti në anën tjetër është ndarë i kënaqur për vlerësimin që partia e tij i ka bërë Qeverisë.
“Besoj që gjatë këtyre muajve kemi dhënë evidencë të fortë në gjërat kryesore nga sundimi i ligjit, kthimi i partneritetit, luftës së jashtëzakonshme kundër pandemisë. Ditëve të ardhshme do të dalim me ofertën. Unë jam i bindur që jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje”, ka thënë ai.
LDK-ja ka bërë të ditur se pos Hotit, s’ka pasur propozime të tjera.