
FSK në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të Iowas
Kuvendi ka votuar pro dërgimit të kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët kanë dhënë miratimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të shtetit të Iowas, SHBA.
“Ju do ta bëni realitet një ëndërr të kamotshme të shumë brezave”, tha kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, teksa ftoi deputetët ta votojnë Propozim-Vendimin e Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
“Kjo mundësi që na jepet konfirmon besimin e partnerëve tanë strategjikë për rolin e Kosovës jo vetëm në sigurinë rajonale por edhe në sigurinë ndërkombëtare. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar kontingjentin e FSK-së jashtë vendit tregon se Kosova mbetet e përkushtuar ta rrisë bashkëpunimin me SHBA-të dhe vendet aleate. Këtë mision duhet ta konceptojmë, jo vetëm si një detyrë në kuadër të marrëdhënieve tona ndërkombëtarë, por si një konfirmim të rrugëtimit tonë euroatlantik. Me këtë vendim sonte vendoset gurthemeli i radhës në rrugën tonë të integrimit euroatlantik të shtetit të Kosovës”, shtoi Hoti.
Ministri Anton Çuni e ka quajtur këtë, mundësi unike për shtetin e Kosovës dhe ushtrinë e saj. “Mundësia që FSK-ja t’i bashkohet Gardës së Iowas është një mundësi unike për të fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Përkushtimi e profesionalizimi i FSK-së po vlerësohet edhe nga ndërkombëtarët”, ka thënë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Çuni.