
Kurti e Vuçiq “nuk merren vesh për asgjë”
Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.
Pas takimit, presidenti i Serbisë, Vuçiq tha se nuk ka rënë dakord me Kurtin “absolutisht për asgjë”.
“Ata erdhën që të merren vesh për asgjë, absolutisht për asgjë”, u tha gazetarëve Vuçiqi pas takimit me Kurtin.
Ky takim u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Para takimit trepalësh, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.
Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Është një rast në BE për diskutimet në Ballkanin Perëndimor dhe është me rëndësi për rajonin që ta shfrytëzojë këtë rast. Dhe ky është rast për tërë rajonin e jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, sepse këto raporte janë të rëndësishme për tërë rajonin. Për stabilitetin afatgjatë, përparimin ekonomik. Përpjekjet tjera pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë të rrezikuara”, ka thënë Borrell duke shprehur pritje për një takim konstruktiv.
Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.
“Dialogu ka prodhuar rezultate për qytetarët e tyre. Si shembull, integrimi i policisë dhe sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës në sistemin e Kosovës. Mbledhja e tarifave doganore nga tregtia me Serbinë apo edhe pjesëmarrja si anëtar i plotë në organizata të ndryshme rajonale si dhe iniciativa”, ka thënë Borrell.
Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku evropian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.
Para takimit trepalësh, zyrtarët e BE-së kanë zhvilluar takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkoviq, para takimit të Kurtit me Vuçiqin, ka thënë se po i transmeton fjalët e presidentit serb, i cili, sipas tij ka thënë se Beogradi është i gatshëm për dialog, por që i intereson edhe përparimi në këtë proces.
“BE-ja bashkëpunon ngushtë me SHBA-në për çështjen e Kosovës, gjë që edhe më shumë e vështirëson pozicionin tonë, por ne do të luftojmë”, ka theksuar Petkoviq.
Vazhdim i dialogut apo proces i ri?
Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ditë më parë ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor dhe se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog, si dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, më 11 qershor ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës që më 15 qershor, “nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër” dhe se “nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtit dialog”.
“Do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, ka thënë Kurti, duke shtuar se dialogut ende nuk i dihet agjenda.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka vazhduar të mbajë qëndrimin se në takimin me Kurtin do të insistojë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet palëve në Bruksel.
Në prag të takimit me Kurtin, presidenti serb Vuçiq ka thënë se “nuk është koha për fjalë të mëdha, por për një qëndrim të fortë”.
“Por, gjithmonë është koha që të tregojmë se sa e duam dialogun dhe sa e rëndësishme është të shikojmë drejt së ardhmes”, ka deklaruar Vuçiq.
“Vullneti i nevojshëm” për dialogun
Ditë më parë, partitë opozitare në Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Kurti, duke ia rikujtuar atij qëndrimet që kishte shprehur për dialogun para se të vinte në pushtet, se nuk bën të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve. Gjithashtu, ai është kritikuar se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur.
Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se më 15 qershor, pas përfundimit të takimit, me media do të bisedojë përfaqësuesi i posaçëm, Lajçak.