Ditari sekret i Enver Hoxhës: Projekti i panjohur për t’u hapur me Perëndimin që në
Osmani e njofton Borrellin me pengesat që Serbia po i bën dialogut
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi natën e kaluar, siç u njoftua nga kabineti i saj, në një bisedë me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, se Beogradi nuk zbatoi dy të tretat e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Osmani foli me Borellin gjatë qëndrimit të saj në Turqi, ku ajo mori pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, thuhet në njoftim.
“Ne kemi treguar gatishmëri për të marrë pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë në një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen reciproke dhe që do të respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Osmani.
Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, duke e falënderuar Turqinë për organizimin e samitit të sivjetmë, presidentja Osmani u shpreh e lumtur që vitin e shkuar, si vend nikoqir, Kosova ia doli ta organizonte samitin e SEECP-së, me të gjitha sfidat e jashtëzakonshme nga COVID-19.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, Osmani theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar njëri-tjetrin.
“Ne kemi sfida të ngjashme, por mund të ndikojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon”, tha ajo.
Ajo u bëri edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotësi sovranitetin e saj dhe integritetin territorial të vendit.
“E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”, nënvizoi presidentja.
Në fund, komunikata bën të ditur se presidentja ka thënë që BE-ja duhet t’ia njohë përkushtimin institucioneve të Kosovës dhe ta “mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe për integrim më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE”.