Vrasja e 20-vjeçares nga bashkëshorti – Detajet e reja
Ngjarja e 11 majit në Greqi ka tronditur gjithë banorët dhe ka marrë vëmendje në vend, si dhe në mediat e huaja. Babis Anagnostopoulos, piloti grek, fillimisht pretendoi se disa njerëz kishin tentuar të grabisnin shtëpinë e tij, duke vrarë bashkëshorten, por e vërteta ishte krejt ndryshe.
Më 11 maj, Caroline Crouch, 20 vjeçarja me kombësi britanike, u gjet e pajetë në shtëpinë e çiftit. Babis u tha policëve se tre grabitës kishin hyrë në shtëpi dhe pasi kishin vrarë qenin, kishin torturuar dhe i kishin marrë jetën bashkëshortes së tij, nënës së një foshnjeje 11-muajsh. 33-vjeçari gjithashtu pretendoi se nuk kishte mundur t’i vinte në ndihmë bashkëshortes sepse grabitësit e kishin lidhur.
Në ditët në vijim, Anagnostopoulos shfaqej si bashkëshorti i përvuajtur duke postuar fotografi të vjetra nga dasma e çiftit në Instagram me përshkrimin “Gjithmonë së bashku. Rrugë të mbarë, dashuria ime.”
Madje, mediat e huaja kanë postuar edhe foto ku ai përqafon dhe ngushëllon mamanë e 20-vjeçares.
Megjithatë, të enjten policia konfirmoi se kishte marrë në pyetje Anagnostopoulos pasi rrëfimi i tij nuk përputhej me rrjedhën e ngjarjeve. Më vonë, ajo lëshoi një deklaratë ku thuhej se ai kishte pranuar se kishte vrarë bashkëshorten. Për ta bërë “grabitjen” edhe më të besueshme, 33-vjeçari kishte vrarë edhe qenin e familjes.
“Hetimi i vrasjes së 20-vjeçares në Glyka Nera. Merret si i pandehur bashkëshorti i saj 33-vjeçar, pasi pranoi autorësinë e krimit”, shkruan departamenti i policisë në Twitter.
Sipas mediave vendase greke, policia kishte zbuluar prova të cilat sugjeronin se marrëdhënia mes çiftit ishte ftohur, ndërsa Crouch kishte menduar ta linte bashkëshortin.
Gjithashtu alibia e Anagnostopoulos për lëvizjet e tij pas ngjarjes së rëndë nuk përkonte me provat, pasi i pandehuri kishte qenë duke përdorur celularin gjatë kohës kur pretendonte se kishte qenë i lidhur nga grabitësit.
Një ditë pas vrasjes, Babis deklaroi jashtë shtëpisë ku ndodhi ngjarja e rëndë se ai beson në punën e policisë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Burimi: Euronews, ABC News