Zjarr në Graçanicë – Katër shtëpi banimi të dëmtuara
Të paktën katër objekte janë përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm në Graçanicë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Sipas zyrtarit për informim të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, dyshimet e para janë se zjarri ka filluar në një objekt përcjellës të një shtëpie e më pas është shpërndarë në katër objekte.
“Rreth orës 07:30 është raportuar për një zjarr në Graçanicë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe ekipet e zjarrfikësve. Nga informatat e para në vendin e ngjarjes janë ngritur dyshimet se zjarri ka filluar në një objekt përcjellës të një shtëpie për tu shpërndarë më pas në katër objekte. Aktualisht përqendrimi është në lokalizimin e zjarrit në mënyrë që të shmangen pasojat e përhapjes së tij më tej dhe evakuimin e banorëve përreth”, deklaroi Borovci.
Nga ky zjarr përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar.