A po zhvillohet edhe vaksinimi me të ngjofshëm?!
Ndonëse nga 15 qershori ka filluar realizimi i Planit për Vaksinim Masiv në Kosovë, komunat po ballafaqohen me numër të kufizuar të vaksinave. Në mungesë të tyre, një nga to ditë më parë ka vendosur që të anulojë thirrjet e qytetarëve që kanë për të marrë dozën e parë të vaksinës. Ndërsa, raportohet se vaksinimi i një pjese të qytetarëve që nuk janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit po bëhet edhe me të njohshëm.
Në mungesë të vaksinave, Komuna e Gjilanit gjatë javës së kaluar ka vendosur t’i thërret për vaksinim vetëm personat që kanë për ta marrë dozën e dytë të vaksinës Anti-COVID dhe ndonjë rast specifik kur dhënia e vaksinës është e nevojshme. Ndërsa, jurist e njohës të drejtësisë i kanë reaguar Ministrisë së Shëndetësisë për siç thonë vaksinimin me të “njofshëm” e keqpërdorimet në këtë proces.
Me më pak se 1 mijë vaksina që i kanë mbetur, Komuna e Gjilanit po synon të vaksinojë personat që kanë për ta marrë dozën e dytë të vaksinës.
Ndërsa, është anuluar përkohësisht thirrja e qytetarëve që janë në pritje për ta marrë dozën e parë.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili, ka thënë për Express se aktualisht kanë mungesë të furnizimit me vaksina.
Ai ka deklaruar se ajo çfarë është proklamuar si vaksinim masiv nuk është duke ndodhur.
“Aktualisht kemi mungesë në furnizim, nuk kemi sasinë e pritur. Ajo çfarë është proklamuar si vaksinim masiv nuk është duke ndodhur. Jemi duke i vaksinuar personat që e marrin dozën e dytë dhe ndonjë rast specifik. Si komunë të gjitha përgatitjet i kemi bërë me ekipe. Edhe hapësirën e kemi ndarë. Të gjitha kushtet janë, por në mungesë të vaksinave e kemi zvogëluar numrin e ekipeve”, ka thënë ai.
Ndërsa, vetëm gjatë javës së kaluar rreth 60 persona që i kanë pasur të caktuara terminët për vaksinim, janë lajmëruar se nuk do të mund ta marrin vaksinën për shkak të mungesës së tyre.
“Ka qenë një numër i tyre 50-60 që janë njoftuar paraprakisht që e kanë caktuar terminin e kanë marrë dozën e parë dhe kanë qenë të informuar se nuk ka sasi të mjaftueshme të vaksinave dhe i kemi ndërprerë për momentin thirrjet. Persona mbi 65 vjeç pothuajse nuk ka. Mundemi të fillojmë me kategori tjera, policinë, FSK’në, e ata që kanë qenë në rekomandime të MSH”, ka thënë ai.
Tutje ai është shprehur se u është premtuar furnizim me vaksina nga data 29 qershor.
Për mungesën e vaksinave ka reaguar ditë më parë edhe analistja politike, Donika Emini.
Ajo ka thënë se qytetarët me termine të caktuara për vaksinim po kthehen prapa për shkak të mungesës së vaksinave.
Për këtë, ajo ka thënë se qeveria “NUK DUHET ME RREJT”.
Ndërsa, Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, ka reaguar në shkrimin e Eminit duke thënë se vaksinat janë duke u marrë me të “njofshëm”.
Ajo ka shkruajtur se persona të caktuar po gënjejnë se kanë sëmundje kronike dhe se Ministria e Shëndetësisë po i lejon keqpërdorimet.
Express tashmë disa ditë ka raportuar për personat nën 40 e 30 vjeç të cilët nuk janë të përfshirë në fazën e dytë të vaksinimit por që po arrijnë të vaksinohen kundër COVID-19.
Këtë e kanë konfirmuar edhe vetë këta persona, por e kanë mohuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndërsa, Express ka raportuar edhe për vaksinimin e studentëve të cilët studiojnë jashtë vendit.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se po i vaksinojnë vetëm ata studentë që kanë si kusht për vazhdimin e studimeve jashtë vendit vaksinimin.
Vaksinimi (JO) masiv
Edhe pse ka filluar realizimi i planit për vaksinim masiv, numër i vogël i qytetarëve po arrijnë të vaksinohen në komuna të ndryshme.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci ka thënë për Express se ata kanë kapacitete që të vaksinojnë aq persona sa kanë vaksina.
Ai ka thënë se deri në 400 persona po i vaksinojnë në ditë.
“Ka disa ditë që po vazhdon vaksinimi dhe nuk ka probleme. Procesi po shkon me rregull, kushtet janë të mira, kemi edhe staf. Deri në 400 persona po vaksinohen në ditë. Numri është më i lartë për shkak që po vaksinohen punëtorët e arsimit dhe zyrtarët policorë. Ne kemi kapacitetet për vaksinim në varësi të dozave që marrim”, ka thënë ai.
Loci është shprehur se interesimi për tu vaksinuar në këtë komunë është shumë i madh.
Ndërsa, edhe nga Komuna e Gjakovës dhe Ferizajt kanë thënë për Express se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është shumë i madh.
Nga këto komuna është thënë se po vaksinohen të gjithë ata persona që janë në radhë për t’u vaksinuar.
Mirëpo nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se sfidë e kësaj ministrie dhe komunave në ditët në vijim nuk do të jetë mungesa e vaksinave, por administrimi në numër sa më të madh të tyre.
Sipas kësaj ministrie, vaksinat janë siguruar dhe për disa ditë ritmet e vaksinimit do të jenë shumë më të larta.
“Sfida e MSH-së dhe komunave në ditët që vijnë nuk ka të bëjë me mungesën e vaksinave, por me administrimin në numër sa më të madh të tyre, sipas Planit të veprimit për vaksinim të qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19, sepse vaksinat janë siguruar dhe për disa ditë, ritmet e vaksinimit do të jenë shumë më të larta dhe qytetarët sipas fazave të vaksinimit, do të kenë mundësi të bëjnë caktimin e terminëve të tyre për vaksinim”, kanë thënë zëdhënës për informim në MSH.
Nga kjo ministri kanë thënë se të gjitha terminët për vaksinim janë mbushur deri më 29 qershor.
Kujtojmë që deri tani në Kosovë 159 mijë e 45 persona kanë marrë vaksinën Anti-COVID.