Milionerët e opozitës: Nga Ramush Haradinaj te Xhavit Haliti
Agjencia Kundër Korrupsionit i ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2020.
E pasurinë e ka deklaruar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Haliti në formularët e AKK-së vetëm pasuri të paluajtshme i ka deklaruar mbi pesë milionë euro.
Ai ka deklaruar një objekt afarist 400 metra katror nga biznesi familjar nga viti 1993 me vlerë 260 mijë euro.
Një shtëpi banimi 300 metra katror nga biznesi familjar prej vitit 1993 me vlerë 80 mijë euro i cila është e prindit, një tokë bujqësore, 25 mijë e 700 metra katror e trashëguar me vlerë 370 mijë euro po ashtu e prindit, një objekt hotelier të përbashkët, 500 metra katror me vlerë 200 mijë euro, një objekt afarist të përbashkët me sipërfaqe 1 mijë e 100 metra katror me vlerë 600 mijë euro, një tokë bujqësore 38 mijë metra katror të trashëguar, me vlerë 500 mijë euro, e cila është e prindit të tij dhe tokë dhe objekte të përbashkëta, tetë mijë metra katror me vlerë 3 milion euro.
Deputeti i PDK-së i ka të deklaruar edhe nëntë vetura.
Një veturë nga të ardhurat e biznesit familjar me vlerë 11 mijë euro, dy vetura të përbashkëta me vlerë tre mijë euro, një veturë të përbashkët me vlerë pesë mijë euro, një veturë e fëmijëve me vlerë 18 mijë euro, një veturë e fëmijëve me vlerë gjashtë mijë euro, një veturë të përbashkët me vlerë gjashtë mijë euro, një veturë të përbashkët me vlerë tetë mijë euro, dhe një veturë e tij me vlerë 19 mijë euro.
Xhavit Haliti, po ashtu ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit se i ka pesë mijë euro para të gatshme në institucionet financiare dhe dhe 10 mijë euro para të gatshme të përbashkëta.
RAMUSH HARADINAJ – Nis biznes të ri në ndërtimtari, posedon mbi 1 milion euro patundshmëri
Ish-kryeministri i Kosovës, kryetari dhe deputeti i Kuvendit nga AAK, Ramush Haradinaj ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit.
Haradinaj në deklarimin e pasurisë ka bërë të ditur se ka hapur një firmë ndërtimore “HCC” SH.P.K bashkë me bashkëshorten e tij Anitën.
Haradinaj ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1 milionë e 064 mijë e 300 euro.
Ai ka deklaruar se ka një shtëpi banimi në vlerë 300 mijë euro, shtëpi familjare-Kulla në vlerë 270 mijë euro, tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro, tokë, në vlerë 27 mijë e 300 euro, shtëpi banimi në vlerë prej 202 mijë euro, banesë në vlerë 70 mijë euro dhe një villë në vlerë 120 mijë euro.
Kryetari i AAK-së gjithashtu ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë 8 mijë euro, dhe 52 mijë e 984 euro para të gatshme në bankë së bashku me bashkëshorten.
Haradinaj sikurse edhe qytetarët e shumtë posedon tri kredia në bankë në vlerë 152 mijë e 564 euro.
Të hyrat vjetore të kreut të AAK-së, kapin shifrën e 59 mijë e 353 euro, përfshirë këtu pensionin invalidor, qeran, pagën e bashkëshorten në RTK, ELSIG.