
Islanda realizon me sukses provën për 4 ditë pune në javë
Hulumtuesit kanë bërë të ditur se prova më e madhe e bërë ndonjëherë në botë e zhvilluar në Islandë për të zbatuar një sistem me katër ditë pune në javë, ka përfunduar me sukses të madh dhe se plani duhet të testohet edhe në Britani.
Në kuadër të hulumtimit të bërë në Islandë, mbi 1 për qind të popullsisë që punon në vend, morën pjesë në pilot-programin që ul kohën e punës javore në 35-36 orë pa asnjë ulje në rrogë.
Programi u zbatua në mesin e grupeve të ndryshme, përfshirë punëtorët, punonjësit nëpër zyra, si dhe ato të spitaleve dhe shërbimeve sociale, që punojnë në modelet jostandarde të ndërrimit mes orës 09:00-17:00.
Pas testimit në fjalë, në analizën e përbashkët të Shoqatës islandeze të Qëndrueshmërisë dhe Demokracisë (Alda) dhe think-tankut britanik Autonomy, vihet në pah se prova që ka zgjatur nga viti 2015 deri në vitin 2019 me pjesëmarrjen e 2.500 personave ka rritur produktivitetin dhe mirëqenien.
Pilot-programi tregoi se mirëqenia e punëtorëve që morën pjesë në provë u përmirësua ndjeshëm në një numër indikatorësh, pasi stresi dhe lodhja, si dhe shëndeti, puna dhe ekuilibri i jetës u përmirësuan ndjeshëm në pothuajse të gjitha grupet që morën pjesë.
Nga ana tjetër, hulumtuesit vëzhguan se personat që morën pjesë në provë ose mbetën në nivelet e njëjta ose u përmirësuan në aspektin e produktivitetit dhe ofrimit të shërbimit.