Shkenca prapa pse grupet Whatsapp janë të këqija për shëndetin tonë

Helmimet në Deçan – Çfarë ndodhi që çoi në gjendje emergjente
Komuna e Deçanit shpalli të martën gjendjen emergjente për shkak të situatës së krijuar në këtë komunë pasi që qindra banorë kërkuan ndihmën e mjekut me simptoma të helmimit.
Ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur në këtë komunë, rreth 70 kilometra larg Prishtinës, por dyshimet e para u hodhën te furnizimi me ujë nga kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se janë duke u kryer hetime lidhur me dy raste te vdekjes që dyshohet se janë të lidhura me situatën.
“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, tha Nikçi.
Të hënën mbrëma Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë ende duke u kryer analizat e mostrave të ujit. Drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani tha se “mostrat e dërguara në laborator dhe rezultatet nga analizat fiziko-kimike rezultojnë në kufijtë e lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuara”, megjithatë po vazhdojnë analizat epidemiologjike për të gjetur shkaktarët.
Ministria e Shëndetësisë u rekomandoi qytetarëve të zonës të mos përdorin ujin nga sistemi rajonal i ujësjellësit deri në njoftimin e radhës.
Kryetari i komunës së Deçanit, të hënën paralajmëroi masa ligjore dhe administrative, nëse vërtetohet që helmimi ishte pasojë e përdorimit të ujit të pijshëm.
Hipoteza të ndryshme për helmimin e mbi një mijë qytetarëve në Deçan
Infektologu në Spitalin e Pejës Halil Komoni thotë se nuk ka vend për panik me situatën e helmimeve në Deçan.
Ai ka thënë se gjasat janë të mëdha që helmimi të ketë ardhur nga uji duke u bazuar edhe në simptomat dhe efektet tjera që kanë pacientët.
“Gjërat fillestare flasin për një fatkeqësie elementare natyrore. Bëhet fjalë për një epidemi hidrike, sipas të gjitha gjasave, mirëpo nuk ka hapësirë për panik, por ka hapësirë për ndihmë dhe solidaritet”, tha Komoni.
Ndërsa nga Spitali Rajonal i Pejës raportohet se momentalisht në trajtim me simptoma të helmimit janë katër fëmijë.
Fatlije Buza nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore thotë se ditëve të fundit ka pasur stuhi në Deçan dhe sipas saj ka gjasa që uji të jetë kontaminuar nga ndonjë shpërthim kanalizimi, mbetjet bujqësore apo plehrat.
“Burimi i ndotjes ende nuk është i njohur. Por nuk është e thënë që patjetër është helmuar burimi i ujit. Ka mundur që gjatë stuhisë të ndodh ndonjë shpërthim në gypa. Edhe ajo duhet të hulumtohet. Nga ai shpërthim i gypave ka mundur të futen edhe mbetjet bujqësore, apo plehrat e mbetur nga stuhia”, deklaroi Fatlije Buza.
Edhe qytetari nga Deçani Adem Lushaj ka dyshime të forta se ky helmim ka ardhur nga uji.
Lushaj i cili ka disa familjarë të helmuar, thotë se turbullimi i ujit ka filluar prej disa ditësh.
Ai thotë se për turbullimin e ujit janë lajmëruar edhe organet kompetente dhe për këtë gjë është kontaktuar nga prokuroria.