Prototipi i “kompjuterit me rezervuar” parashikon ngjarje më mirë se disa kompjuterë dixhitalë

Rrëfimi i kosovarit që u bë pjesë e rezistencës në tentativën për grusht-shtet në Turqi
“E mira, duhet të kthehet gjithsesi vetëm me të mirë. Kështu që, nuk mund të mendoj ndryshe pos të isha solidarizuar me popullin e Turqisë sikurse ata që janë solidarizuar me ne gjatë luftës”, tha Gashi
Kosovari nga Prishtina, Bekim Gashi, i cili natën e 15 korrikut të vitit 2016 gjatë tentativës për grusht shtet të organizatës terroriste FETO ishte me shoqëri në Stamboll dhe u bë pjesë e rezistencës së popullit turk, thotë se ai vendosi të dalë atë natë në rrugët e Stambollit për të mbrojtur shtetin turk, sepse Turqia e ka përkrahur Kosovën në të gjitha mënyrat si në aspektin politik, ekonomik apo social.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Gashi shpjegon se atë natë informacionet e para rreth tentativës për grusht shtet i mori derisa po shijonin momente relaksuese në një nga kafenetë e qytetit.
Informacionet e vazhdueshme nga mediat turke, sipas Gashit, i cili ka ndjekur zhvillimet nga kafeneja, sa vinin e bënin situatën më serioze. Ai thotë se me të parë lidhjen telefonike nga një televizion të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe thirrjen që ai i bëri qytetarëve për të dalë në rrugë dhe për t’i rezistuar veprimeve terroriste, bashkë me mikun e tij, Fadil Pushkollin, nuk kanë hezituar të mbrojnë, siç u shpreh ai, “vendin nga okupimi”.
“Pasi që njerëzit filluan gradualisht të dalin në rrugë dhe të mos e pranojnë puçin apo okupimin, edhe ne si qytetarë të Republikës së Kosovës vendosëm që t’i bashkangjitemi shokëve tanë, miqve tanë, vëllezërve nga Turqia që të rezistojnë kundër një puçi, për një shtet mik i cili e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha sferat”, shprehet Gashi.
Gashi thotë se qëndruan me qytetarët turk rezistues ndaj puçit deri në orët e para të mëngjesit, herë tek Drejtoria e Policisë së Stambollit dhe herë tek Komuna e Stambollit. Në atë natë, thekson ai, ka parë njerëz të vrarë dhe të plagosur, si dhe shumë të tjerë që mund të vriteshin ose të plagoseshin.
Megjithëse dalja e tij duke u bërë pjesë e rezistencës në këtë ngjarje ka qenë tërësisht në bazë të vullnetit individual, Gashi thotë se ka disa arsye që janë bërë shkak për këtë.
“Turqia vazhdimisht Kosovën e ka përkrahur në të gjitha mënyrat duke filluar nga aspekti politik, ekonomik, social. Sidomos, presidenti i Turqisë, z. Erdoğan ka ndikuar shumë në skenën ndërkombëtare që Kosova të pranohet si shtet i pavarur prej shumë shteteve të tjera. Çdo herë ka qëndruar prapa Kosovës dhe popullit të Kosovës. E mira, duhet të kthehet gjithsesi vetëm me të mirë. Kështu që, nuk mund të mendoj ndryshe pos të isha solidarizuar me popullin e Turqisë sikurse ata që janë solidarizuar me ne gjatë luftës”, tha Gashi, i cili është edhe veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai shtoi se nata e 15 korrikut të vitit 2016 për Turqinë ka qenë njëra ndër netët më të rëndësishme në 100 vitet e fundit, ngase, sipas tij, “po të mos ndodhte fitorja e popullit turk atë natë Turqia në një farë forme do të ishte e gjitha e okupuar në të gjitha institucionet shtetërore nga organizata terroriste FETO”.
FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan grusht shtetin e dështuar, i cili la 251 persona të vrarë dhe rreth 2.200 të tjerë të plagosur.
Turqia shënon 15 korrikun si “Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar” me ngjarje që nderojnë ata që humbën jetën duke mposhtur puçistët dhe në këtë ditë kujton trimërinë e kombit.