Afrimi i Kinës me Rusinë dhe bashkërendimi kundër Amerikës, Xi do të vizitojë Serbinë
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq takohen për herë të dytë
Në Bruksel kanë nisur takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me përfaqësuesit e Bashkimit Evorpian, Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak.
Tema kryesore e raundit të dytë të bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentin të Serbisë Aleksandar Vuçiq është shqyrëtimi i përparimit në çështjet për të cilat janë nënshkruar më parë marrëveshje, si dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve. Autoritetet evropiane thonë se pikërisht ky dialog është një prej elementeve më vendimtare në procesin e afrimit të Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian.
Autoritetet e BE bëjnë të ditur se ndërmjetësuesit evropianë së pari do të takohen ndaras me delegacionet dhe më pas të gjithë së bashku, me shpresë se do të ketë lëvizje përpara. Takimi i parë Kurti-Vuçiq, i mbajtur me 15 qershor në Bruksel, ka kaluar me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Një prej temave më të përfolura nga pala serbe është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Kurti ka deklaruar se “nuk do të ketë asociacion njëetnik” dhe nuk do të lejojë “përsëritjen e skenarit të Bosnjë- Hercegovinës”. Në vend të asociacionit, ai ka propozuar në takimin e kaluar krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës, ngjashëm siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
Në takimin e 15 qershorit, Kurti ka paraqitur katër propozime, por pala serbe nuk e ka pranuar asnjë prej tyre. Një prej propozimeve ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes paqësore mes këtyre dy vendeve, që të mos sulmojnë njëra-tjetrën.
Në takimin e parë Kurti ka kërkuar po ashtu nga pala serbe që të deklarohet se kur do të njohë pavarësinë e Kosovës. Vuçiq më pas, para gazetarëve tha se Serbia “nuk do ta njohë kurrë Kosovën”. Më pas është mbajtur edhe një takim mes udhëhehqësve të delegacioneve për dialog – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq, por as ky takim nuk ka shënuar ndonjë lëvizje serioze përpara. Në këtë atmosferë, pritet sot që të lëvizet një hap më përpara në vlerësimin e marrëveshjeve të kaluara dhe përcaktimin e hapave të mëtejmë. Pas takimit pritet që palët të deklarohen para gazetarëve. E pritet edhe prononcimi i ndërmjetësve evropianë.
Borrell: Pres qasje konstruktive nga Kosova dhe Serbia
Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.
“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.