
Disa studiues krijuan profile të rreme adoleshentësh në Instagram dhe ja ç’ndodhi
Algoritmet e Instagramit po i shtyjnë adoleshentët, edhe ata që përfshihen shumë pak me imazhe të lidhura me palestren, drejt një morie informacioni për humbjen në peshë, sipas një hulumtimi të ri që synonte të krijonte përvojën e të qenit një adoleshent në rrjete sociale.
Hulumtimi u krye nga Revealing Reality dhe u kërkua nga Fondacioni 5Rights, i cili bën fushata për kontrolle më të forta në internet për fëmijët.
Studiuesit krijuan disa profile në Instagram që tregonin jetën e disa fëmijëve të vërtetë dhe ndoqën të njëjtat llogari si adoleshentët vullnetarë. Ata më pas pëlqyen disa postime dhe shumë shpejt, algoritmi bëri që “explore” (ku sugjerohen foto dhe video të llogarive të tjera në Instagram) të paraqiste informacione potencialisht të dëmshme në lidhje me imazhin e trupit.
Një llogari që u krijua në emër të një vajze 17-vjeçare pëlqeu një postim të vetëm nga një markë e veshjeve sportive në lidhje me dietën që u shfaq në explore. Ajo më pas ndoqi një llogari që iu sugjerua ku u postua një foto “para dhe pas humbjes së peshës”.
Këto dy veprime ishin të mjaftueshme për të ndryshuar rrënjësisht materialin e sugjeruar për vajzën e rreme adoleshente në Instagram. Studiuesit vunë në dukje se platforma shfaqi përmbajtje të konsiderueshme për humbjen e peshës dhe ushqimet.
Përpos kësaj, studiuesit vunë në dukje se adoleshentëve iu ofrua një përmbajtje e konsiderueshme pornografike, përmbajtje për vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin, të gjitha brenda 24 orëve nga krijimi i një llogarie.
Instagram e dinte që të gjitha llogaritë ishin regjistruar nga adoleshentë.
Një zëdhënës i Facebook, i cili ka në pronësi Instagramin, tha se tashmë po merren hapa më agresivë për sigurinë e adoleshentëve në rrjetin social, duke përfshirë parandalimin e të rriturve që t’u dërgojnë mesazhe nëse adoleshentët nuk i ndjekin.
Burimet: Guardian, Times