Prototipi i “kompjuterit me rezervuar” parashikon ngjarje më mirë se disa kompjuterë dixhitalë

Gjermania: Jemi në dijeni për “Open Balkan” , mbështesim Planin e Tregut të Përbashkët Rajonal
Qeveria gjermane e konsideron si „detyrë urgjente“ nënshkrimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe kërkon që marrëveshjet të nënshkruhen deri më 6 tetor.
Qeveria gjermane e konsideron si “detyrë urgjente” jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e Sofjes në 2020. Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se “krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, pohuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.”
Ai shton se marrëveshjet e katër lirive duhet të nënshkruhen deri më 6 tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që “të arrihen përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, janë miratuar në parim nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të rregullojnë lirinë e lëvizjes me karta identiteti, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin për shtetasit e vendeve të treta, njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët si edhe njohjen e diplomave universitare.

Prioritet marrëveshjet nga forumi përfshirës i Procesit të Berlinit
Pyetjeve të Deutsche Welles se në çfarë mënyre e mbështet qeveria gjermane nismën „Ballkani i Hapur” zëdhënësi iu përgjigj përmbledhtazi: “Qeveria gjermane është në dijeni të nismës së Ballkanit të Hapur. Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur.”