
SHBA i dërgon Kosovës 35 mijë vaksinat e para nga 500 mijë të dhuruara
Ka arritur sot kontingjenti prej 35 mijë e 100 dozash të vaksinës kundër COVID-19, Pfizer/BioNTech, dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes programit COVAX. Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e pranimit, ku të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett si dhe koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë, e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë, për përkrahjen e dhënë në një periudhë të vështirë në mars të këtij viti dhe për vazhdimin e kësaj përkrahje tani që po përballemi me përhapjen eksplozive të variantit Delta të virusit”, veçoi ai.
Deri më tani kemi arritur të vaksinojmë 232 mijë e 993 qytetarë me dozën e dytën, u shpreh më tej kryeministri Kurti, duke thënë se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 680 mije e 101 doza të vaksinës.
Kryeministri Kurti u zotua se Qeveria e Kosovës do të angazhohet maksimalisht që të përmbushë synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës në grupmoshën e atyre që duhet vaksinuar.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se muaj më parë i është drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, me kërkesën për të ndihmuar Kosovën në sigurimin e vaksinave kundër Covid-19.
Arritja e vaksinave sot, Osmani tha se tregon solidaritet dhe rikonfirmon miqësinë e fortë në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Institucionet tonë në ndërkohë përveç kontratës me kompaninë Pfizer siguruan edhe vaksina të tjera por mbi të gjitha ne morëm përgjigjën pozitive nga presidenti Biden për mbi 500 mijë vaksina si donacion i ShBA-ve, kontingjenti ne parë të të cilët po e pranojmë sot, me shpresën e madhe se duke e ditur situatën e rëndë me të cilën po ballafaqohemi tani edhe kontingjentet e tjera do të vinë urgjentisht”, tha Osmani.
Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, duke shtuar se është e vetmja mënyrë për të luftuar pandeminë Covid-19.
“Të dashur qytetarë, nuk mjafton vetëm arritja e vaksinave sepse synimi ynë është të krijojmë një ambient të sigurt për qytetarët, për bizneset, për shkollat dhe të gjitha veprimtaritë jetësore, prandaj të sigurt mund të jemi vetëm kur vaksinohemi të gjithë. Vaksinimi është dhe do të jetë arma e vetme dhe më e sigurt për të mposhtur virusin”, tha Osmani.
Pas arritjes në vendin tonë të kontingjentit prej 35,100 dozave të vaksinave dhe zotimit të SHBA-ve se do ta mbështes Kosovën me 500 mijë vaksina Pfizer, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se këto doza e sjellin 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të Kosovës për vaksinimin.
“Sot SHBA dhuroi kontigjentin e parë nga 500,000 doza Pfizer për Kosovën, duke e sjellë atë 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të vaksinimit. E dhënë përmes COVAX, kjo dhuratë përfaqëson vlerat e përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura midis njerëzve tanë. Së bashku mund ta mposhtim COVID-19”, ka shkruar Blinken në llogarinë e tij në Twitter.