Pep “ia vë syrin” talentit të Bayernit, por duhet të paktën 100 milionë
LDK: Qeveria Kurti po e ri-instalon Serbinë në Kosovë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për vendosjen e gurë-themelit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, duke thënë se Qeveria aktuale po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë
“Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë. Është Qeveria Kurti ajo e cila po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë”, thuhet në reagim.
Këtë veprim, LDK-ja e ka quajtur degradues për shtetin e Kosovës.
“Me aprovimin e vizitës nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtori i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit së bashku me Ministrin e Qeverisë së Albin Kurtit, vunë në Mitrovicën e Veriut gurë-themelin e “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”. Me këtë veprim ata de-legjitimojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës”
“Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele”, thuhet tutje në këtë reagim.
Tutje në këtë reagim të LDK-së thuhet se Qeveria Kurti po lejon që ministrat e saj, dhe të Republikës së Kosovës pa dallim, të marrin pjesë në aktivitete që de-legjitimojnë shtetin tonë.
“Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”, përfunduan ata.