Ditari sekret i Enver Hoxhës: Projekti i panjohur për t’u hapur me Perëndimin që në
Shpërthim në aeroportin e Kabulit, raportohet për të vdekur e të plagosur
Një dëshmitar afgan thotë se ka parë disa të vrarë dhe të plagosur në një shpërthim në mes të turmave të njerëzve që prisnin jashtë njërës prej hyrjeve në aeroportin e Kabulit.
Nga sulmi raportohe për të paktën 13 viktima, mes tyre dhe fëmijë.
Adam Khan tha se disa njerëzve dukej se u mungonin pjesë të trupit. Ai tha se ishte rreth 30 metra larg nga shpërthimi i së enjtes.
Një zyrtar amerikan tha se të paktën një anëtar i ushtrisë amerikane është plagosur rëndë.
Shpërthimi ndodh ndërsa vendet perëndimore po përpiqen të evakuojnë njerëzit pas marrjes së Afganistanit nga talebanët.
Pentagoni konfirmoi njoftimet për një shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit.
“Mund të konfirmojmë një shpërthim jashtë aeroportit të Kabulit. Për momentin është i paqartë numri i viktimave. Do të japim detaje shtesë kur të mundemi”, shkruante në një postim në Twitter Sekretari për Shtypin i Pentagonit John Kirby.
Njoftimi vjen ndërsa qeveritë perëndimore paralajmëruan të enjten mbi rrezik për një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit në Afganistan. Zyrtarë u kërkuan njerëzve të mbledhur në këtë zonë, që të zhvendosen në një vend të sigurt.
Në një deklaratë të Ambasadës Amerikane në Kabul thuhej se “për shkak të kërcënimeve mbi sigurinë jashtë portave të aeroportit të Kabulit, shtetasit amerikanë këshillohen që në këtë kohë të shmangin udhëtimet drejt aeroportit, përjashtuar rasteve kur marrin udhëzime individuale nga një përfaqësues i qeverisë amerikane për ta bërë një gjë të tillë”. Po kështu zyrtarët e ambasadës u kërkuan “amerikanëve të mbledhur në portat e aeroportit, që të largohen menjëherë”.
Ministri i Forcave të Armatosura Britanike James Heappey tha për radion BBC se “ka njoftime tejet të besueshme për një sulm të afërt”.
Departamenti australian i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë paralajmëroi gjithashtu për një “kërcënim të lartë e vazhdueshëm terrorist”.
Ndërkohë kryeministri belg Alexander De Croo tha se qeveria e tij u dha fund operacioneve të evakuimit pasi dëgjoi nga Shtetet e Bashkuara e burime të tjera, për një sulm të mundshëm.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti të mërkurën se Shtetet e Bashkuara shohin një kërcënim të mundshëm në Afganistan nga një grup i lidhur me Shtetit Islamik.
Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara “po operojmë në një mjedis armiqësor, në një qytet dhe vend tashmë të kontrolluar nga talebanët, me mundësinë shumë reale të një sulmi nga ISIS-K. Ne po marrim çdo masë paraprake, por situata është shumë e rrezikshme”.
Shtetet e Bashkuara janë zotuar të vazhdojnë përpjekjet për të evakuuar nga Afganistani shtetasit amerikanë, ata që janë të pajisur me karta jeshile, aleatët si dhe afganë të tjerë në rrezik nga grupi taleban, edhe nëse kjo përpjekje do të kërkojë tejkalimin e afatit të vendosur për tërheqjen e trupava amerikane nga Afganistani, që është 31 gushti.
Nuk ka “afat për evakuimin e amerikanëve dhe afganëve që duan të largohen pas 31 gushtit”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur të enjten se që nga 14 gushti, Shtetet e Bashkuara kanë evakuuar ose ndihmuar në evakuimin e rreth 95,700 personave me avionë ushtarakë amerikanë e të koalicionit.