Burim Karameta nga GUXO e sulmoi ministrin Vitia, tash pret thirrjen t’i bashkohet LDK-së
Në Kuvendin e Kosovës hyri si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes Listës GUXO, që para zgjedhjeve qendrore udhëhiqej nga Vjosa Osmani.
Ai fitoi mandat deputeti, por jo edhe ministri. Kohët e fundit, Karamata zgjodhi formën e sulmeve ndaj ministrit Arben Vitia, duke e bërë përgjegjës për gjendjen e rënduar me COVID-19 dhe duke i kërkuar atij dorëheqjen.
Kjo paraqet thyerjen më serioze mes Vetëvendosjes dhe GUXO, sado që ministrja Donika Gërvalla nga GUXO, i doli më pas në mbrojtje ministrit Vitia dhe Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Problemi, duket të jetë edhe më thellë, pasi që nuk është vetëm relacioni mes Vetëvendosjes dhe GUXO çështje e pakanaqësive. Problemi qëndron të brishtësia e Listës GUXO e formuar pak ditë para zgjedhjeve, pa një strukturë të qëndrueshme e pa ndonjë perspektivë politike.
Zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetorin e këtij viti kanë shpërfaqur pakënaqësi të mëdha brenda Listës ‘Guxo’ të themeluar nga Vjosa Osmani. Në disa komuna përfaqësuesit e kësaj nisme politike s’janë pajtuar që ta garojnë bashkë me Vetëvendosjen, dhe kanë ndarë rrugën me “GUXO”- n që aktualisht është nën drejtimin e Donika Gërvallës.
Nisur nga këto probleme brenda GUXO, deputeti i LDK-së, Arben Gashi u ka dërguar një sinjal të pakënaqurve brenda kësaj liste që të shikojnë kah LDK-ja.
Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka shkruar sot se LDK’ja është shtëpia më e mirë dhe se nuk ka tjetër.
Ky reagim i Gashit duket si një mesazh indirekt në prag të zgjedhjeve lokale për anëtarët e GUXO-s të cilët s’janë të kënaqur me vendimet e partisë.
“S’ka si shtëpia jonë – s’ka si LDK-ja. S’ka më mirë se në shtëpi. Të sjell ngrohtësi e kënaqësi. Askush e asnjëherë nuk ndihet më mirë se në shtëpi. Veç në shtëpi ndihesh i plotësuar, ngaqë veç aty plotësohesh dhe je vetvetja”, ka shkruar Gashi në profilin e tij zyrtar.