Mos e injoroni vaksinën/ 93 për qind e të hospitalizuarve të pavaksinuar
93 për qind e më shumë se 1200 të hospitalizuarve me COVID-19 në spitalet dhe klinikat e Kosovës janë pacientë që s’janë vaksinuar kundër virusit, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media të premten.
Ai ka thënë po ashtu se edhe nga 170 të vdekurit këtë javë si pasojë e virusit, 149 prej tyre kanë qenë të pavaksinuar.
Pas takimit me komitetin anti-COVID, Vitia ka thënë se janë marrë vesh me institucionet që nga 12 shtatori vaksinimi të bëhet edhe të dielave duke deklaruar se “vaksinimi s’ka alternativë”.
Vitia po ashtu ka thënë se nga mbi 83 mijë testimet që janë bërë këtë javë, shkalla e pozitivitetit ka qenë mbi 13 për qind.
Ministri i Shëndetësisë ka shtuar se duke filluar nga 13 shtatori, të gjithë punëtorët e administratës publike do të duhet të paraqesin njërën nga dëshmitë siç janë: certifikata e vaksinimit, testi PCR negativ jo më i vjetër se 72 orë, ose testi serologjik jo më i vjetër se 30 ditë. Vitia ka thënë se me kohë kjo masë mund të shtrihet edhe në institucionet e tjera.
“Duke u thirrur në vendimin e së shtunës së kaluar, nga 13 shtatori do të fillojmë me disa restriksione në administratën publike. Të gjithë punëtorët që paraqiten në punë duhet të kenë një nga dëshmitë si: certifikata e vaksinimit, testi PCR negativ jo më i vjetër se 72 orë, ose testi serologjik jo më i vjetër se 30 ditë. Kjo me kohë do të shtrihet edhe në institucione të tjera. Kam kërkuar gjatë takimit, që të lajmërojnë të gjithë punëtorët e administratës lidhur me këtë, në mënyrë që të kemi mundësinë e vaksinimit për ata që dëshirojnë të vaksinohen.
Vitia ka shtuar se para 13 shtatorit do të ketë edhe takime të tjera të Komitetit anti-COVID në mënyrë që të vendoset se si të procedohet më tutje.
Ai ka thënë se kjo nuk e përjashton mundësinë e masave të reja para kësaj date, varësisht nga situata epidemiologjike.
Rënien e lehtë e shkallës së pozitivitetit te testimet që po bëhen përditë, nga rreth 20 në 13 për qind, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, po e sheh si “dritë në fund të tunelit”.
Ai ka thënë se ka nisur të bjerë edhe numri i rasteve aktive e përqindja e vdekshmërisë.
Edhe Ramadani ka thënë se vaksina mbetet mënyra më efikase për parandalim të virusit.
Në anën tjetër, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se në spitalet dhe klinikat e Kosovës ka nisur të bjerë numri i të hospitalizuarve ditëve të fundit.
Krasniqi ka theksuar tri karakteristika të valës së re të rasteve me COVID-19: numrin e lartë të të infektuarve në periudhë të shkurtër kohore, fuqinë dhe agresivitetin e sëmundjes nga varianti Delta dhe prekja e grupmoshave të reja duke mos kursyer as fëmijët e shtatzënat.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht janë mbi 1000 pacientë që po trajtohen me oksigjenoterapi. Ka thënë se kurrë s’ka pasur numër kaq të madh të rasteve të tilla.
Edhe Krasniqi ka deklaruar se nga të gjithë të shtrirët në spital, mbi 90 për qind janë të pavaksinuar.
Të tre kanë apeluar për vaksinim, me Krasniqin që ka thënë se të gjithë të vaksinuarit po e kalojnë më lehtë infektimin.