
Helmohen disa qytetarë nga ushqimi – Flet Naser Ramadani
Disa persona janë helmuar nga ushqimi në fshatin Trudë të Prishtinës.
Lidhur me rastin detaje shtesë për Klankosova.tv ka dhënë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadani.
Ai tha se informatën e ka pranuar nga kryeinspektori i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit Ibrahim Tërshnjaku.
“Sot në mesditë kemi marrë informacion nga kryeinspektori i AUV-it Ibrahim Tërshnjaku, se në fshatin Trudë të Prishtinës janë helmuar disa qytetarë. 12 persona kanë kërkuar ndihmë në Besi dhe në gjashtë në një nga QMF-të në Prishtinë. Ata kanë pasur shenja të detoksimit nga ushqimi, si ethe, barkqitje, temperature, vjellje”.
“Ne ju kemi bërë edhe teste anti-COVID. Të gjithë nga ata kanë rezultuar negativ. Një person e kemi referuar për në Klinikën Infektive, por nuk kemi informacion se a ka shkuar”.
“Jemi duke e monitoruar situatën. I kemi marrë edhe mostrat e ushqimit në laborator dhe jemi duke i ekzaminuar”.
Ramadani tha se mund të ketë edhe persona të tjerë që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Përveç personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mund të ketë edhe persona të tjerë që nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore”.
Kreu i IKSHPK-së theksoi se një familje kishte porositur ushqim për 85 veta pasi kishin rast vdekje dhe po e organizonin të pamen.
“Një familje kishte porositur ushqim në një restorant për 85 persona që ishin në një të pame. Ata pasi kanë ngrënë iu kishin shfaqur simptomat e helmimit”.
LAJMI FILLESTAR:
Një helmim në masë, dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Trudë të Komunës së Prishtinës.
Kështu ka thënë për Klankosova.tv, një qytetare, e cila u shpreh se helmimi dyshohet se ka ardhur nga ushqimi.
Sipas saj në vend ngjarje ka qenë edhe një ekip i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në krye me drejtorin Naser Ramadani, që i kanë vizituar pacientët në Qendren e Mjekësisë Familjare në fshatin Besi, duke iu bërë edhe kontrolla anti-COVID.
“Ka pasur rast vdekje në një familje dhe kanë porositur ushqim në një restorant. Të gjithë janë helmuar dhe disa janë në gjendje të keqe. Rasti ka ndodhur në fshatin Trudë. Kanë qenë në vizitë Naser Ramadani dhe disa ekipe mjekësore”.
Këtë e kanë konfirmuar në kushte anonimiteti edhe punëtorët shëndetësorë të QMF-së në Besi, ku bënë të ditur se numri i pacientëve me simptome helmimi të paraqitur në këtë qendër, është 17-të.
“Po, janë shënuar disa raste. Disa që kanë qenë më rëndë i kemi referuar në klinikat e tjera dhe në Klinikën Infektive. Disa nga ta janë duke marrë terapi akoma në QMF. Kanë qenë edhe nga IKSHPK që kontrolluar edhe për COVID-19”.
Jozyrtarisht K.K. mëson se numri i të helmuarve është mbi 80.