Mungojnë tekstet nëpër shkolla – Kush i ka fajet, Ministria apo komunat?!
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci kishte fajësuar dje drejtoritë komunale të arsimit që nuk kanë paraqitur kërkesa për tekstet shkollore.
Nagavci ka thënë se ka dërguar komisione që të bëjnë vizita nëpër shkolla dhe sipas informacioneve ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave.
Sipas Nagavcit, në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent.
Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë se për përgjegjësitë e veta “MASHT-i nuk mund të fajësojë komunat”.
“Problemi qëndron në atë që librat e siguruar nga gjenerata paraprake ose janë të dëmtuar apo edhe nxënësit nuk i kanë kthyer në shkolla, që do të thotë mungon një numër i teksteve për klasat 6, 7, 9. Gjithashtu numri i nxënësvë ndryshon nga viti në vit nëpër shkolla”.
Ai ka thënë që për herë të parë nxënësit parashkollor mbesin pa libra.
“Për klasat 6 – 9 është kërkuar që tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë. Vetëm për klasën e 7 janë dy libra alternativë të rinjë që do të sigurohen nga MASHT. Dhe për klasën e 8 janë libra të gjithë të rinjë që MASHT do të i sigurojë’”.
“Nga Komunat është kërkuar që të plotësojnë katalogun me kërkesa për furnizime me tekste shkollore brenda afatit prej 5 ditë. Komunat kanë plotësuar kërkesat në katalogjet e parapara të MASHT në afatin e paraparë kohor, dhe është raportuar numri i nxënësve në përpuethshmëri me numrin e nxënësve të regjistruar në SMIA të MASHT”.
“Kurse te furnizimi me tekste shkollore për klasat 6-9 Komunat kanë formuar komisionet e duhura për pranimin e teksteve shkollore të dorëzuara nga MASHT. Këto komisione kanë kryer punën në mënyrë shumë të mirë, mirëpo librat mungojnë, sepse MASHT nuk I ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna. Të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi sa I përket shpërndarjes së teksteve shkollore e që bien në kompetencë të komunave janë kryer në plotni”, thuhet tutje.