Deçani nderon viktimat e sulmit në Gllogjan
Qindra qytetarë ndezën qirinj më 27 nëntor për të kujtuar tri viktimat e sulmit me armë zjarri ndaj një autobusi që po transportonte nxënës. Më 26 nëntor, shoferi i autobusit dhe dy nxënës u vranë, teksa po udhëtonin në fshatin Gllogjan të Deçanit. Autoritetet kanë thënë se janë duke hetuar dy-tri pista dhe se nuk përjashtohet mundësia që në këtë ngjarje të jenë të përfshirë më shumë se një person.
1Qytetarët në Komunën e Deçanit u mblodhën më 27 nëntor për të kujtuar tri viktimat e sulmit me armë zjarri ndaj një autobusi që po bartte nxënës nga Gjakova në Deçan.
2Në sulmin me armë zjarri, që ndodhi në orët e mbrëmjes së 26 nëntorit, u vra një shofer dhe dy nxënës.
3Autoritetet e rendit në Kosovë ende nuk kanë arrestuar ndonjë të dyshuar për sulmin në Gllogjan të Deçanit.
4Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke hetuar dy-tri pista lidhur me ngjarjen në Gllogjan.
5Autoritetet e Kosovës nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në sulmin ndaj autobusit të jenë përfshirë më shumë se një person.
6Drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti tha se janë duke e pastruar terrenin ku ndodhi ngjarja, për të parë nëse mund të sigurohen prova të reja.
7Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar që personat përgjegjës për vrasjen e trefishtë të dorëzohen, duke thënë se kushdo që u ndihmon atyre bën shkelje të rëndë penale.
8Autoritetet në Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve, që nëse kanë informacione lidhur me ngjarjen në Gllogjan, t’u drejtohen organeve të rendit.
9Vrimat e plumbave shihen në dritaren e përparme të autobusit. Policia e Kosovës ka hedhur poshtë mundësinë që vrasja e trefishtë lidhet me akt terrorist.