Loja Basha-Berisha s’ka më kthim – Fituesi merr gjithçka
Votimi dhe shkarkimi i Lulzim Bashës në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha është akti i fundit që duket se i vendos kapak përplasjes pa kthim, mbyll çdo shteg të mundshëm kompromisi mes dy palëve rivale brenda PD-së dhe paralajmëron një betejë të gjatë, që sipas deklaratave të deritanishme nuk do të zhvillohet në rrugë e sheshe, por në gjykatë.
Berisha e kreu lëvizjen e tij, ndërsa lëvizja e madhe e Bashës është 18 dhjetori. Dy Kuvendet janë sot më përjashtues së kurrë ndaj njëri-tjetrit, pavarësisht se ashtu siç Gazeta Shqip solli në një artikull të së premtes se sipas listave që dy palët publikuan për pjesëmarrjen e delegatëve, të paktën katër mijë prej tyre kanë firmosur për të dyja Kuvendet.
Vendimi i shkarkimit të Bashës është ai që sot nuk lë më një rrugë të mesme. Fituesi merr gjithçka, humbësi asgjë. Kjo është rruga e vetme në të cilën mund të ecë Partia Demokratike si një e vetme, pa u përçarë.
Nga ato që u thanë në Kuvendin e Berishës, të hënën ndryshimet statutore do të dorëzohen në gjykatë për t’u regjistruar. Procesi mund të kërkojë ditë, ose javë kohë. Gjykata duhet të verifikojë vlefshmërinë e delegatëve pjesëmarrës nëse kjo kundërshtohet nga PD-ja zyrtare e Bashës, që po siç është paralajmëruar kështu do të ndodhë.
Vetë Basha dhe numri dy i PD-së, Gazment Bardhi kanë përsëritur vazhdimisht në daljet e fundit mediatike se ajo që po organizon Berisha nuk është Kuvend, por miting a tubim, që ish-kryeministri e ka thirrur për të mbrojtur interesat e tij personale duke shkelur mbi interesat e demokratëve.
Duket se kjo lëvizje e Berishës, pra ndryshimet statutore së bashku me shkarkimin e Lulzim Bashës do të dorëzohen në gjykatë për regjistrim është parashikuar nga Lulzim Basha. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore se përse u thirr Kuvendi më 18 dhjetor, vetëm një javë pas Berishës.
Koha e shkurtër në dispozicion nuk i lë mundësi regjistrimit të ndryshimeve statutore dhe vendimit të shkarkimit të Bashës në gjykatë dhe me këtë pjesë, Lulzim Basha shmang të paktën kontestimin juridik të ligjshmërisë së Kuvendit të thirrur prej tij më 18 dhjetor.
Pyetja është se çfarë do të ndodhë më pas? Policia zbarkoi që këtë të shtunë me forca përforcuese pranë godinës së Partisë Demokratike, nga frika se delegatët dhe mbështetësit e Berishës mund t’i drejtohen kësaj selie në përfundim të punimeve të Kuvendit. Kjo u përjashtua si mundësi nga Belind Këlliçi dhe Edi Paloka. Që të dy ata thanë se nuk kanë ndërmend që të marrin partinë me dhunë.
Me përjashtimin e dhunës dhe refuzimin e Lulzim Bashës për të njohur Kuvendin e Berishës dhe vendimet e marra prej tij, rruga që mbetet duket se janë gjykatat. Këtu, PD zyrtare që zotëron vulën dhe siglën do të përballet me sfidantët e Berishës. I gjithë procesi mund të kërkojë javë e muaj kohë që të dalë me një vendim zyrtar se e kujt është Partia Demokratike.
Në një proces të mundshëm gjyqësor përgjigja që duhet të japë drejtësia nuk ka një rrugë të mesme. Në fund do të vendoset se kush do ta mbajë Partinë Demokratike dhe pala tjetër të tërhiqet. Pra, edhe në këtë skenar fituesi i merr të gjitha dhe humbësi humbet gjithçka.
Kostoja? Në të dyja rastet dëmi që mund t’i shkaktohet PD-së duket i pariparueshëm. Në hipotezën se partinë do ta mbajë Basha dhe grupi i tij, rrezikohet përçarja dhe dalja e Berishës me një fraksion të ri politik. Në hipotezën që partinë do ta marrë Berisha, rrezikohet izolimi i kësaj partie nga SHBA dhe me gjasë ndjekur edhe nga ndërkombëtarët e tjerë. Pas Ambasadores Yuri Kim, i fundit që e ritheksoi këtë ishte Escobar gjatë vizitës në Tiranë, që tha se SHBA nuk do të komunikonte me një parti që ka për kryetar një person të shpallur “non grata”.