Erion Veliaj i ndanë Përparim Ramës “Çelësin e Tiranës”, ky ia dhuron një plis (FOTO)
Përparim Rama ka zgjedhur që vizitën e tij të parë si kryetar i Prishtinës ta bëjë në Tiranë ku është pritur nga homologu i tij Erion Veliaj.
Rama është pritur me ceremoni zyrtare nga Veliaj, teksa ky i fundit ia dhuroi edhe “Çelësin e Tiranës” për të cilin tha se është traditë që t’ia japin vetëm miqve specialë dhe njerëzve të shpisë.
Veliaj tha se pret që me mikun e tij, që tash është kryetar i Prishtinës, ta nisë një faqe të re bashkëpunimi mes dy kryeqyteteve shqiptare.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme sot që po e pres në Bashkinë e Tiranës mikun dhe vëllain tim, kryetarin e komunës së Prishtinës të sapozgjedhur me energji të reja dhe me një frymë jashtëzakonisht pozitive Përparim Rama. Është një kënaqësi e veçantë që të të pres sot në Tiranë. Vërtet është ditë pushimi, por s’ka pushim kur je kryetar komune dhe kam përshtypjen se e ke mësuar shumë shpejt që shiu, bora dhe përmbytjet nuk presin, po ashtu edhe nevojat e qytetarëve nuk presin, pra qyteti funksionon 24/7 365 ditë të vitit, prandaj më vjen mirë që këto ditë pushimi e kemi vizitën zyrtare të parë të Përparimit dhe skuadrës së tij fantastike në Tiranë për të hapur një faqe të re të bashkëpunimit tonë, ku punojmë më fort, duhemi më shumë dhe lidhemi dhe bashkëpunojmë më intensivisht se kurrë më parë”.
Në ndërkohë edhe Rama nuk e la pa dhuratë nikoqirin.
“Është një plis. Reprezentimi i kulturës, traditës dhe vlerave tona të cilat janë të reprezantuara në mënyrë moderne”, tha ai për plisin jo krejt tradicional që i dhuroi.
RAMA I KËNAQUR ME PRITJEN NË TIRANË
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkruar pas takimit me homologun e tij shqiptar, Erion Veliajn.
“Jam tejet i emocionuar dhe i nderuar nga pritja e ngrohtë dhe bujare e Bashkisë së Tiranës dhe z. Erion Veliaj gjatë vizitës tonë të parë zyrtare”, shkroi Rama pasi u prit me ceremoni zyrtare nga Veliaj.
Gjatë takimit, Veliaj i dhuroi Ramës “Çelësin e Tiranës”.
“E pranoj me përultësi dhe mirënjohje Çelësin e Qytetit, si simbol të hapjes së rrugëtimeve të reja të përbashkëta që i presin të rinjtë tanë dhe qytetet tona”, u shpreh i pari i kryeqytetit kosovar.